Ministria e Financave: I kemi fondet për të për të përballuar situatat të tilla natyrore

Pasojat e tërmetit të 21 shtatorit në Tiranë

Nisur nga tërmeti i ndodhur sot dhe dëmtimeve që janë shkaktuar në banesa, ambiente publike dhe biznese, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ka reaguar për masat e marra. Në një njoftim për mediat, Ministria njofton se strukturat e saj në varësi janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin të gjithë situatën në kohë reale.

Njoftimi i Ministrisë së Financave dhe e Ekonomisë 

MFE po bashkëpunon me të gjitha ministritë e linjës, pushtetin vendor dhe strukturat e tjera që janë në terren, për t’u informuar mbi dëmet e shkaktuara nga kjo dukuri natyrore.

Edhe pse këto struktura po evidentojnë dëmet në terren, është ende herët për të llogaritur efektet financiare të këtyre dëmeve.

Gjithashtu, ju bëjmë me dije se MFE, disponon të gjithe fondet e nevojshme për të përballuar situatat e shkaktuara nga fatkeqësi të tilla natyrore.

Si institucioni, që ka në varësi Inspektoriatin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, MFE po koordinon gjithashtu me pushtetin vendor, kompanitë e ashensorëve dhe administratorët e pallateve për rritjen e ndërgjegjësimit për të bërë verifikimin e gjendjes së tyre teknike, pas situatës së krijuar nga tërmeti.

Një informacion më i detajuar për trupat e autorizuara që kryejnë verifikimin e plotë të ashensorëve gjendet në faqen e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut www.ishmt.gov.al , si dhe mund të shkruani për rastet emergjente dhe për çdo problematikë tjetër lidhur me ashensorët në adresën info@ishmt.gov.al .