Ministria e Arsimit flet për gjendjen e shkollave: Të hënën ka mësim

Tërmtetet dhe lëkundjet nuk kanë kursyer as shkollat në vend. Ministria e Arsimit, përmes një deklarate për mediet, ka bërë të ditur se deri më tani ka dëmtime materiale në disa shkolla në Durrës dhe në Tiranë. Nga ana tjetër, Ministria bën të ditur se të hënën do të vijojë normalisht mësimi.

“Ka disa shkolla me dëmtime të vogla në Tiranë dhe Durrës, të cilat konsistojnë kryesisht në plasaritje të lehta muresh të jashtme dhe që fatmirësisht nuk pengojnë aspak vijimin e procesit të mësimit ditën e hënë”- u shpreh në një komunikatë MASR.

“Njëkohësisht, informojmë se ekipet e ministrisë dhe të institucioneve të saj të varësisë janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Ditën e nesërme do të jenë po në terren në mënyrë që të garantojmë se secila shkollë është e sigurtë për t’u hapur të hënën për vijimin normal të mësimit”-përfundoi ministria deklaratën.