Ligji për diplomacinë, Xhafaj: Kufizojmë ndërhyrjet nga jashtë

Ministria e Punëve të Jashtme po punon mbi rishikimin e ligjit për shërbimin diplomatik dhe paketa e rishikuar do jetë gati brenda tetorit. Zëvendësministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj, shpjegon ndërhyrjet kryesore që do të bëhen, ku thotë se: ”Ndryshon trajtimi i shërbimit të jashtë, duke futur edhe familjarët e ambasadorëve apo diplomatëve. E dyta, do të fuqizohet akademia diplomatike dhe funksionet e Ministrisë për të promovuar diplomatë të rinj, si dhe për të limituar ndërhyrjet nga jashtë dhe për të fuqizuar edhe më tej sistemin diplomatik”,-u shpreh për ”A2Cnn”. Nga ana tjetër, ndryshimet do të prekin edhe raportin mes ambasadoreve që vijnë nga shërbimi i jashtëm dhe atyre jashtë sistemit. ”Praktika e emërimit të ambasadorëve politikë njihet dhe zbatohet edhe nga shtete të fuqishme, si SHBA”.