Kukësi thyen Tiranën kryesuese, vendosin Abazaj dhe Shkurtaj

Kukësi ka arritur që të fitojë 2-1 kryendeshjen e kësaj jave në Superiore duke mundur Tiranën. Sfida u zhbllokua në minutën e 17-të, kur Kristal Abazaj bëri mjaft mirë në krahun e majtë të sulmit dhe kaloi pengesën Vangjeli, ndërsa më pas gjuajti saktë dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së gardianit Edvan Bakaj.

Në minutat e para të pjesës së dytë Kukësi shënoi edhe golin e dytë, pas një aksioni të Gavazajt, që u fut në zonë dhe shërbeu mjaft bukur për sulmuesin kryesor Shkurtaj, i cili me kokë, nga fare pranë portës, nuk mund të gabonte dhe shtyu sferën në rrjetë.

Në minutën e 82-të, Cobinnah u shërbye saktë në zonë dhe arriti të shtyjë topin në rrjetë, duke rihapur takimin dhe duke bërë mjaft emocionuese minutat e mbetura të takimit.

Verilindorët i shkaktojnë kështu Tiranës humbjen e parë në kampionat dhe me 3-pikëshin e marrë u bashkohen bardhebluve në krye të tabelës së renditjes, me 10 pikë të grumbulluara pas 5 javëve.