Hapja e studimeve Bachelor në FA, Begaj: Përgatit liderët e së ardhmes

Akademia e Forcave të Armatosura, nga viti i ardhshëm mësimor do të ketë sistemin e saj Bachelor, duke i hapur kështu rrugën ndryshimit rrënjësor të sistemit arsimor ushtarak në vendin tonë, duke përgatitur ushtarakët e rinj ashtu si në vendet e NATO-s. Gjeneral brigade, profesor i asociuar, Bajram Begaj, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se Akademia e Forcave të Armatosura është një institucion që përgatit liderët e së ardhmes, të cilët kanë mundësi jo vetëm të drejtojnë ushtritë e vendit tonë por dhe të ushtrojnë profesionin e ushtarakut në vendet e tjera aleate të NATO-s.

”Unë si drejtues i institucionit të Akademisë së Forcave të Armatosura, shpreh bindjen e plotë se Akademia Ushtarake, si institucion i vetëm ushtarak, i cili merret me trajnimin, arsimimin e oficerit, ushtarakut dhe civilit që punon në forcat e armatosura, se është një institucion arsimor si të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend, që duhet të përmbushë kriteret për të qenë në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë”.

Nga ana tjetër, Begaj tha se bazuar në këtë status që do të miratohet, ”jemi të mundur që vitin tjetër të fillojmë vitin akademik bazuar në sistemin e ri, i cili përfshin ciklin e parë të programit të studimeve ”Bachelor” dhe do të japim diplomën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare”. Sipas tij, marrja e këtij statusi është e merituar, për faktin se po bëhet një punë voluminoze. ”I përgatisim ata me aftësi, kompetenca profesionale që bëjnë të mundur që këta profesionistë të jenë të aftë kudo që të shkojnë, jo vetëm në vendin tonë për të drejtuar ushtrinë por edhe në vendet e NATO-s, ku ne kemi vende të posaçme për të qenë në shtabet kryesore dhe përfaqësues të denjë të Shqipërisë në këto vende”.

Për studentët që kanë mbaruar studimin bachelor në fusha të ndryshme, rekrutohen sipas një programi të caktuar, sipas një testimi që bazohet te aftësitë individuale, testet intelektuale, fizike, psikologjike, shëndetësore dhe më pas këta i nënshtrohen një studimi 10-mujor për të përfunduar dhe për t’i shndërruar këta individë nga qytetarë civilë të zakonshëm, në ushtarakë me ndjenjën e atdhedashurisë dhe me atë mendësi për të qenë ushtarakë.

”Tashmë, me miratimin e statusit me akreditimin dhe njohjen nga Agjencia Britanike dhe Ministria e Arsimit do të jepet dhe do të hapet drita jeshile për fillimin e studimeve bachelor, që do të thotë jo më studime 10 muaj për të qenë ushtarak por do të bëhet sipas sistemit bachelor me 180 kredite, bazuar në 2 deri në 3 vite akademike dhe rekrutimi do të ndodhë sipas modelit U-Albania, që nxënësit pas përfundimit të shkollës së mesme do të aplikojnë për të qenë ushtarakë, ose bazuar te një model rekrutimi që ne e kemi të ngritur si pasojë e një konkurrimi brenda për brenda vetes”.