Dita ndërkombëtare e pastrimit/ Klosi në Berat për pastrimin e qytetit

Sot është dita ndërkombëtare e pastrimit dhe u bënë aksione në të gjithë vendin.

Ministri i Turizmit Blendi Klosi iu bashkua nismës së institucioneve dhe qytetarëve të Beratit për pastrimin e zonave dhe lagjeve të qytetit dhe ish-komunave.

Ministri Klosi deklaroi se shumë shpejt do t’i jepet një zgjidhje landfillit të Beratit për të eliminuar një gangrenë mjedisore që ndot dhe shkatërron imazhin turistik të qytetit muzeal.

“Jemi në fazën e fundit për një ndërhyrje të madhe në landfillin e Beratit që është një gangrenë e madhe 30-vjecare e këtij qyteti”, tha ministri Klosi duke theksuar se kjo ndërhyrje do të krijojë standard të ri për menaxhimin e mbetjeve në Berat.

Duke iu referuar nismës “Qesja e fundit” ministri Klosi u shpreh për masa drastike, duke e konsideruar përdorimin e qeseve si një krim mjedisor.

Ministri Klosi përsëriti thirrjen e tij për të gjithë qytetarët që t’i bashkohen nismës “Qesja e fundit” për t’ia dalë mbanë që më 1 qershor 2020 Shqipëria të jetë vendi i parë në Europë që të zerojë përdorimin e qeseve plastike.