Dënimi me shërbim prove, Tahiri: Sot do të rrëfej të vërtetën time

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, përmes një postimi në facebook, ka bërë me dije se do të flasë këtë të shtunë në orën 11:30. Ndonëse pritej që dje ai të komentonte vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda siç edhe u shpreh mbrëmjen e së enjtes, duket se Tahiri ka dashur më shumë kohë për t’u përgatitur para publikut kureshtar. ”Në 11;30 shihemi ”live” këtu, për të shpjeguar të vërteten time, deri në këtë stacion të parë”, shkruan Tahiri.

Gjykata shpalli të pafajshëm Saimir Tahirin për akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, duke e shpallur fajtor vetëm për një akuzë të re të ngritur prej saj, për shpërdorim detyre.

Tahiri u dënua për këtë vepër me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim Gjykata e konvertoi në shërbim prove 3 vite me kusht për të mos kryer vepër tjetër penale brenda kësaj periudhe. Sipas vendimit, Tahiri për 3 vite nuk duhet të kryejë funksione publike. Me këtë vendim, ish-ministri i Brendshëm nuk kryen asnjë ditë burg.