Capital T ”elektrizoi” Tiranën, i vë vulën një kohe të re muzikore

Reperi i njohur, Capital T, mbajti të premten një koncert madhështor. Mijëra të pranishëm në sheshin ”Nënë Tereza”, u bënë bashkë për të ndjekur “Time Capsule”, që njëherësh shënon edhe një nga ngjarjet më kulminante në karrierën e artistit.

Skena e ngritur në sheshin ”Nënë Tereza”, përveç Kapos, solli në skenë edhe shumë artistë të tjerë si: Yll Limani, Alban Skënderaj, Majk, që e shoqëruan reperin shqiptar gjatë koncertit të tij recital. Koncerti nisi nga ora 20:00, teksa përgatitjet për të kishin filluar prej disa muajsh dhe për realizimin e tij, Capital T, kishte angazhuar një numër të madh njerëzish.

Disa video të publikuara në rrjetet sociale, kanë zbuluar atmosferën fantastike dhe elektrizuese në koncertin e reperit nga Prishtina, që në mbrëmjen e së premtes ndezi Tiranën. Koncerti u përmbyll me fishekzjarre të shumta, duke shënuar atë që mund të quhet projekti më i suksesshëm deri më tani në karrierën e Capital T.

Koncepti i ”Time Capsule” është ky. ”Meqë është udhëtim në kohë, dhe ka këngë të vjetra, të reja, këngë që ende nuk janë dëgjuar. Domthënë; e kaluara, e tashmja , e ardhmja. Për më shumë ju pres në koncert”. Ky koncert madhështor ju dedikua familjes së këngëtarit, fansave dhe miqve të tij. Capital-i ka një falenderim të veçantë për personat që qëndruan pas koncerit të tij, duke bërë një punë kolosale dhe duke bërë realitet atë që ai ka ëndërruar prej kohësh.