Skenarët për ngritjen e SPAK, mes tyre edhe anëtarë pa Vetting

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka deklaruar shpesh se së shpejti SPAK do jetë funksional. Por, historia e Prokurorisë që do hetojë korrupsionin në nivele të larta, duket se ka ngecur disi, për sa kohë edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit parashikoi t’i kalonte nën kontroll edhe pesë kandidatët që u listuan si më të mirët. Askush nuk mund të thotë se përse kontrolli ndaj të pikëzuarve si më të mirët dhe që u intervistuan gjatë verës dhe dolën fitues në Këshill është bllokuar.

Vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nxitoi ritmet gjatë verës, aq më tepër që edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkoi kontroll me prioritetet  ndaj kandidatëve për në SPAK. Por ende nuk janë thirrur për të dalë në seancë publike asnjëri nga fituesit, i shpallur i dytë në listën e më të mirëve për në SPAK, është prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini. Ai u vlerësua nga Këshilli për historikun e dosjeve të forta që kishte hetuar dhe pas Altin Dumanit që u rendit në vend të parë, prokurori i Krimeve të Rënda u rendit menjëherë pas tij. Por, Anton Martini nuk është thirrur ende nga organet e Vettingut, çka e bën procesin të dyshimtë. Ashtu sikundër edhe një prokurore tjetër, Elizabeta Imeraj, që u rendit e treta për në SPAK, por që edhe për të nuk është hapur seancë publike. Imeraj mori vend mes treshes së më të mirëve, jo vetëm për dosjet e hetuara, por edhe për gradat shkencore që mbante mbi supe dhe CV-në si profesoreshë në Jurisprudencë.

E katërta që ende nuk ka dalë në Vetting është prokurorja Doloreza Musabelliu që sërish është një nga përfaqësueset e spikatura të prokurorisë dhe që fitoi në garë. Vijojnë më tej si fitues Anita Jella dhe Ndini Tavani, të cilët jo vetëm që fituan në garën me 22 prokurorë, por që ngathtësia e KPK-së, i rrezikon të pestë fituesit që mos të jenë pjesë e SPAK, përderisa kushti kryesor është që prokurori i Prokurorisë së Posaçme që do hetojë korrupsionin në nivele të larta ta ketë kaluar Vettingun.

Por përse u ngadalësuan ritmet e Vettingut dhe a është kjo një tentativë për të futur në SPAK emra të tjerë? Kjo është një pyetje që faktikisht do të hedhë dyshime ndaj gjithçkaje po ndodh në prapaskenë. Gazeta Si mësoi një nga skenarët e mundshëm për ngritjen e prokurorisë së SPAK, që parashikon delegime të disa prokurorëve, të cilët kanë kaluar Vettingun, por që nuk janë shpallur fitues nga Këshilli i Lartë i  Prokurorisë.

Një burim në grupin e punës tha ekskluzivisht për Gazetën Si se po diskutohet si formulë për të komanduar në SPAK, Dritan Prençin, i cili nuk u shpall fitues gjatë garës. Ai ishte së fundmi prokuror në dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Por Prençi e ka kaluar Vettingun. Gjithashtu diskutimet janë për të deleguar edhe Sotir Kllapin, një prokuror i ri që e ka kaluar Vettingun, që shërben në krye të Prokurorisë së Pogradecit, por ai as që konkurroi për në SPAK dhe nëse kjo ndodh nuk dihet se si do të argumentohet.

Diskutim tjetër është edhe delegimi ose i Vladimir Marës (prokuror në çështjen Tahiri), ose i  Esmeralda Camit. Dy të fundit po garojnë për të zënë një vend bosh në KLP pas shkarkimit të Gentian Osmanit, dhe ai që do humbasë aty, do shpërblehet me një delegim në SPAK.

Loja për zënien e vendit bosh në KLP, u parapa sapo Cami dha dorëheqjen nga detyra e saj si kryeprokurore në Dibër, çka solli një mbledhje të qeverisë së prokurorëve që e zëvendësuan me një prokuror tjetër në këtë detyrë. E ndërsa Cami dhe Mara kanë nisur fushatën mes prokurorëve për të marrë vota prej tyre në asamblenë që do thërrasë Kryeprokurorja në detyrë Arta Marku, të tjerë mendojnë edhe për humbësin e kësaj gare, për sa kohë skenarët po diskutohen pas perdes. Edhe Vladimir Mara e ka fituar Vettingun, por ai humbi në garë për në SPAK, ashtu si Cami gjithashtu e konfirmuar në detyrë.

Skenari tjetër

Diskutimet jozyrtare dhe burimet për Gazeta Si thonë se ideja është që Altin Dumani, një prokuror i profilit të lartë dhe që kapi vendin e parë në garën drejt SPAK të bëhet kryeprokuror i Prokurorisë që do hetojë korrupsionin në nivele të larta. Ndërkohë, prokurori Edvin Kondili do jetë shef seksioni për hetimin e krimit të organizuar. Arben Kraja, shef seksioni në hetimin e korrupsionit, ndërsa anëtarë të SPAK si prokurorë të thjeshtë Behar Dibra, Enkeleda Millonai, Eneid Nakuci dhe Elida Kaçkini.

Të shtatë prokurorët e mësipërm e kanë kaluar Vettingun, dhe kanë qenë fitues edhe në garën e intervistat që zhvilloi KLP. Ndërsa në diskutimet që po kryhen joformalisht apo së paku që fliten në korridore, ngelen jashtë listës prokurori Klodian Braho që u shpall fitues në garë, e kaloi Vettingun, por ky vendim nuk ka marrë ende formë të prerë. Gjithashtu ngelen jashtë SPAK-ut, nëse e gjitha kjo do miratohet kështu siç po diskutohet edhe prokurorët Besnik Cami, Manjola Kajana, të shpallur fitues e të renditur si më të mirët, por që të dy të apeluar në shkallën e dytë të Vettingut për shkak të disa dyshimeve mbi pasuritë

KLP

Në fakt, Gent Ibrahimi ka thënë shpesh se megjithëse KLP ka vendosur që SPAK të përbëhet me 15 prokurorë, diskutimet janë për ta ngritur strukturën me më pak se dhjetë. Por, SPAK nuk mund të ngrihet me më pak se dhjetë prokurorë, pasi këtë gjë e ndalon kushtetuta, dhe siç duket për këtë arsye po mendohet të emërohen shtatë fitues e tre të futen me delegim. Ajo që thuhet me zë të fortë nga burimet është se SPAK do krijohet deri më 13 tetor.

/Marrë nga Gazeta “Si”