Qeveria japoneze i dhuron 75,000 euro Bashkisë së Krujës

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito dhe kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi firmosën këtë të premte kontratën e grantit me vlerë 75,000 euro, për “Projektin për Përmirësimin e Masave Mbrojtëse të Bashkisë së Krujës ndaj Fatkeqësive Natyrore dhe Civile”, në kuadër të skemës së “Granteve të Qeverisë Japoneze për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal”.

Për shkak të burimeve të kufizuara financiare të Bashkise së Krujës, Stacioni i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) përballet me vështirësi në operacionet e përditshme të mbrojtjes nga zjarri si dhe të emergjencave të tjera civile. Shuma prej 75,000 euro do të përdoret për blerjen e një mjeti zjarrfikës më të ri dhe më efikas se ai ekzistues, i cili do të mund të arrijë në vendet e emergjencës brenda një kohe më të shkurtër.

Ky mjet zjarrfikës do të përdoret për mbrojtjen e qytetit historik, banorët e tij dhe turistët jo vetëm nga zjarret, por edhe nga përmbytjet. Në ceremoninë e firmosjes së kontratës së Grantit, Ambasadori Ito konfirmoi angazhimin e Qeverisë së Japonisë për përmirësimin e masave mbrojtëse ndaj fatkeqësive natyrore dhe civile të Bashkisë së Krujës, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të mardhënieve midis Bashkisë së Krujës dhe Japonisë.

Nga ana e tij, Bushi i shprehu mirënjohjen e tij Qeverisë Japoneze, dhe theksoi rëndësinë që ky bashkëpunim ka për Bashkinë e Krujës, pasi falë tij u adresua nevoja urgjente e bashkisë për të përmirësuar masat mbrojtjes të saj ndaj fatkeqësive natyrore dhe civile.