Media franceze Le Figaro ”kryqëzon” Tahirin dhe drejtësinë

Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, po bën xhiron e medieve në botë. Media franceze ”Le Figaro”, i ka dedikuar një artikull dënimit me 3.4 vite shërbim prove për shpërdorim detyre të ish-ministrit Tahiri. Që në nisje të artikullit, kjo medie e cilëson shpalljen e Tahirit të pafajshëm për akuzat “trafik droge” apo ”grup të strukturuar kriminal” si një ”arratisje” nga burgu.

”Vetë ish-ministri Tahiri e përshëndeti vendimin e Gjykatës, e cila pranoi që 40-vjeçari nuk ishte një kriminel. Ai gjithashtu lajmëroi se ka ndërmend ta apelojë vendimin me 3.4 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Emri i tij u shfaq gjatë përgjimit telefonik në një hetim të nisur pas arrestimit në Itali të një prej kushërinjve të tij, Moisi Habilaj të dyshuar si trafikantë droge”.

”Le Figaro” shkruan edhe për situatën aktuale ku ndodhet politika në vendin tonë. Francezja shprehet se edhe pse ministri i Brendshëm aktual, Sandër Lleshaj është shprehur se vendi ynë është jashtë hartës së shteteve ku mbillet kanabis, kjo gjë nuk u rezulton e vërtetë. Media ndërkombëtare thekson se Shqipëria është një vend i vogël dhe i varfër në mes të Ballkanit që gjithmonë ka shërbyer si një pikë tranzitore për kalimin e drogës, si heroinë apo kokainë, nga vendet e Lindjes dhe Amerikës së Jugut drejt tregut evropian.