Me sytë e fëmijëve 

Ditën kur nis sezoni i ri i mësimit, është bërë e zakonshme të shohim në kronika lajmesh përurime shkollash të reja, apo përurime të rikonstruksioneve të shumicës prej tyre. Kur ndodh në Tiranë a në qytetet e tjera të mëdha të Shqipërisë, të duket më e natyrshme. Ngacmimin më të madh ta japin ato kronikat që të sjellin në ekran sytë e qeshur e gëzimin e fëmijëve që jetojnë në zona periferike, në qyteza që edhe mund të ishin harruar. Por ja që nuk u harruakan kur pranë tyre kalojnë investime të mëdha, që tregojnë kujdes edhe për jetën në komunitetin e atyre zonave. Këtë mesazh të përcjell lajmi i përurimit të shkollës së re në Uznovë të Beratit, një investim prej 540.000 eurosh, si pjesë e programit të Investimit Social e Mjedisor të TAP. Bëhet fjalë për shkollën “Xhemal Çekini” që qenka ndërtuar nga e para, për të ofruar tashmë kushte krejt moderne dhe një mjedis më të sigurt për nxënësit dhe mësuesit, me laboratorë e bibliotekë, me sistem të ri qendror të ngrohjes, për të gjitha ambientet e shkollës, me izolim termik, një fushë fantastike basketbolli, hapësira çlodhëse, etj.

Diana Sinojmeri, Menaxhere e Marrëdhënieve me Palët e Interesit të TAP-it në Shqipëri, theksoi se: “Ne besojmë se një e ardhme e ndritur nis nga edukimi. Për këtë arsye TAP ka investuar në përmirësimin e shkollave e kopshteve në Shqipëri përgjatë gjurmës së projektit”. Ndërkaq edhe Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo i ka vlerësuar standardet e zbatuara në këtë shkollë e përgjegjësinë sociale të TAP-it, të orientuara drejt arsimit dhe përmirësimit të jetës në komunitetet ku kalon gjurma e gazsjellësit.