Karta e studentit, tarifa deri në zero lekë për shërbimet bankare

Studentët do të kenë mundësi të përfitojnë nga paketa e shërbimeve të parashikuara në kartën e studentit. Për këtë qëllim Bashkia e Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje me bankën Credins, përmes të cilës parashikohet reduktimi deri në zero lekë për tarifat edhe për shërbimet bankare.

Erion Veliaj: “Jam shumë entuziast për mënyrën se si ka vijuar shpërndarja e kartës studentore. Diçka që pritëm 30 vjet për ta bërë, por në 3 muaj kemi bërë më shumë se në 30 vjet. Jam i lumtur që 1/3 e studentëve, rreth 21 mijë, tashmë e kanë marrë kartën. Përveç kartës fizike, kanë marrë edhe aplikacionin online, që e bën akoma më të lehtë përdorimin.”

Kryetari i Bashkisë ka theksuar se do të ketë deri në 170 shërbime me tarifa të reduktuara ose pa pagesë.

Erion Veliaj: “Kur ka vullnet dhe dëshirë për të zgjidhur problematika të mbartura ndër vite, ka gjithmonë një rrugëdalje, një mënyrë për t’i bërë gjërat. Ajo që ishte një habi e jashtëzakonshme është se sa shumë është përqafuar karta studentore nga sipërmarrjet dhe kompanitë private në qytetin e Tiranës. Madje, sot kemi mbërritur në një situatë ku kemi 70 shërbime publike dhe rreth 100 shërbime private.”

Veliaj shtoi se krahas përfitimit të tarifave të reduktuara, përmes kartës synohet edhe edukimi i të rinjve me kulturën financiare për të operuar përmes sistemit bankar.