Ish-kryeministri Gruevski merr në telefon ish-ministrin Tahiri

Suksesi i Saimir Tahirit para gjykatës duke e bindur që nga tre akuza për krim të organizuar, të dënohet vetëm për përmirësim sjelljeje, ka befasuar personalitet të njohura ndërkombëtare. Politikanë europianë dhe rajonalë, që kanë pasur probleme të ngjashme me drejtësinë, kanë bojkotuar avokatët e tyre dhe kanë kërkuar kontakte të menjëhershme me Tahirin, i cili edhe në profesion është jurist.

Mësohet se ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, i cili ishte akuzuar për blerjen e një makine kryeministrore është i pari që është vënë në lëvizje. Ai i ka çuar fjalë Saimir Tahirit se do t’a paguajë sa të kërkojë ish-ministri, vetëm që t’i mësojë si e zgjidhi me gjykatën. Pas konsultimeve me Tahirin, Gruevski ka thënë se është gati të kthehet në Maqedoni “dhe të punoj nja tre vjet nëpër kopshte, se u çmenda në Hungari!”.

Pas Gruevskit, një tjetër personalitet botëror që është vënë në kërkim të kontakteve me Saimir Tahiri është Nikolas Sarkozy, ish-presidenti i Francës. Sarkozy i ka thënë gruas se vet, Carla Bruni të ndërhyjë te kryeministri Edi Rama për t’i dhënë shtetësi shqiptare. Politikani që ka probleme me drejtësinë franceze është shprehur se duhet do të vendoset me banim në Tiranë, pasi gjykatësit shqiptarë qenkan shumë njerëzorë. Nikolas Sarkozy është shprehur se gjatë tre viteve në Tiranë, bashkëshortja e tij mund të zhvillojë koncerte me fondet e qeverisë, ndërsa ish- presidenti bëhet punëtor skene me shërbim prove!

Të tjerë politikanë që kanë probleme me drejtësinë në BE dhe SHBA thuhet se janë vënë në radhë për të marrë shërbimet dhe këshillat e Saimir Tahiri. Ky i fundit po mendon të hapë dhe një OJQ, ku do ofrohet shërbim falas për komunitetin se si të shpëtojnë nga drejtësia.