Gjykata ”harron” të shpallë të pafajshëm Tahirin nga akuza për drogë

Tre gjyqtarët, të cilët gjykuan ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin dhe Jaeld Çelën, pas 12 orësh në dhomën e këshillimit, ”harruan” të shpreheshin ne vendimi lidhur me akuzën e trafikimit të drogës, që Prokuroria e kishte ngritur ndaj ish-ministrit të Brendshëm.

Në dokument shkruhet: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Saimir Tahiri për veprën penale të shpërdorimit të detyrës(…) dhe deklarohet të pafajshëm të të pandehurit Saimir Tahiri për veprat penale të grupit të strukturuar kriminal të parashikuar 363 a paragrafi i dytë i kodit penal pasi nuk vërtetohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet”.

Po për akuzën tjetër, të trafikut të drogës? Asnjë fjalë. Duke parë masën e dënimit me vetëm 3 vjet e 4 muaj, kuptohet se Gjykata e ka çliruar Tahirin edhe nga akuza për trafik droge por është e pabesueshme se si kanë harruar ta shkruajnë këtë gjyqtarët.

Kurse për Jaeld Çelën nuk harrohet asgjë, për të cilin Gjykata ka evidentuar qartazi dy pafajësi për dy krime, për të cilat e kishte akuzuar Prokuroria dhe dënimin për shpërdorim detyre, të vendosur nga gjyqtarët si rikualifikim krimi.