Dënimi i Tahirit me shërbim prove, Tabaku: Ditë e zezë për drejtësinë

Për ish-deputeten e PD-së, Jorida Tabaku, rasti Tahiri ishte një “show” i madh dhe një ditë e zezë për drejtësinë. ”Ky ishte një hap pas në procesin e integrimit pasi u tregua që edhe pse me një sistem drejtësie të reformuar, nuk merren vendime të drejta. Akuzat e ngritura nga prokuroria u rrëzuan dhe Tahiri u dënua për një akuzë që nuk ishte ngritur nga prokuroria. Kjo është absurditet”, tha Tabaku në studion e Ditari në A2.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore dhe ftesën e OSBE-së për një tryezë ku të ulen të gjitha partitë, Tabaku tha: “Gjiknuri nuk duhet të ishte në atë pozicion (bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore). Është një nga personat e përfshirë në shitblerjen e votës. Vullneti politik kërkon që këto persona të shkojnë përpara drejtësisë. E rëndësishme në këtë proces është që PD-ja, pavarësisht krizës së rëndë ku ndodhet vendi, nuk ka hequr dorë nga rruga e integrimit evropian. Këto vite kemi pasur hapa pas, mungesë në plotësim kriteresh, por unë theksoj angazhimin e PD-së për të lobuar pro sa herë që na jepet rasti. Basha e bëri shumë të qartë, për të zgjidhur krizën kërkohet më shumë, kërkohet vullnet politik. Reforma Zgjedhore është e rëndësishme, por problem mbetet vullneti politik. U bëj thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë sa nuk është vonë. Të reagojnë pse dosja 184 shkoi në Dibër, pse prokuroria i uli rëndësinë dosjes së Emiljano Shullazit… T’i themi gjërat ashtu siç janë”.