Çollaku: Donald Lu foli për prova të rënda për Tahirin para se të ikte, ku shkuan?!

Gazetari, Basir Çollaku, thotë se shpërdorimi i detyrës nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, solli mbjelljen me kanabis të 219 mijë hektarëve në Shqipëri në 2016.

I zhgënjyer nga vendimi i Krimeve të Rënda, Çollaku për RTV Ora kujton se edhe ish-ambasadori Donald Lu para se të largohej kishte deklaruar se në atë dosje ka prova të rënda.

Ndaj pyetja që ai shtron është: Ku shkuan provat?!

Çollaku: Në 2016 shifra zyrtare e italianëve 219 mijë hektarë të kultivuar me kanabis, ky është shpërdorimi i detyrës, këtë pasojë ka pasur.Produkti shpresësdhënës të dashur diplomatë nuk është ky që kemi parë sot, ata e dinë shumë mirë. Lu para se të largohej tha se kemi parë prova të rënda për çështjen Tahiri.Ku janë provat që ambasadori dhe ambasadorët kanë parë, ku u zhdukën?

Sa i takon reagimit të Ambasadave të huaja në vendin tonë, Çollaku pyet:

Çollaku: A e dinë Ambasadorët se çfarë ka brenda ajo dosje? A janë qeveritë e vendeve që përfaqësojnë që na thonë nuk keni luftuar krimin? Atje zi, këtu bardh.

Ndërsa ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj thotë se në deklaratat e diplomatëve për vendimin e Tahirit lexohet zhgënjim.

Alibeaj: Të dy deklaratat tregonin zhgënjimin, madje ambasadori britanik përmendi dështimin.Për ta çuar optimizmin e tyre deri në fund ka vetëm një zgjidhje, t’ja heqësh lakun nga fyti sistemit të ri të drejtësisë dhe laku është Edi Rama. Ka shpresë dhe mundësi për të dalë dielli dhe në sistemin e drejtësisë.Nuk duhet ta humbim rastin e këtij sistemi të ri të drejtësisë.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dënojë mbrëmjen e së enjtes, me 5 vite burgim ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Duke qenë se ai kishte pranuar më parë gjykimin e shkurtuar, atëherë dënimi sipas vendimit, konvertohet në 3 vite shërbim prove. Po ashtu zotit Tahiri i ndalohet të ushtrojë funksione publike po për të njejtën periudhë.