Shqiptarët, popullata e dytë më e madhe e emigrantëve në Itali

Kreu i Institutit Italian i Statistikave, Xhankarlo Blanxhardo, tha të enjten në Komisionin Parlamentar për çështjet kushtetuese, se numri i shqiptarëve në vend vitin e kaluar arriti në 441 mijë. Përpara popullsisë shqiptare u renditën rumunët në shifrën 1,2 milionë, ndjekur nga 423 mijë marokenë në vendin e tretë, 300 mijë kinezë, dhe 239 mijë ukrainas. Në total, këto pesë kombësi përfaqësojnë rreth 50 për qind të të gjithë të huajve që jetojnë në vend. “Numri i të huajve në vendin tonë u katërfishua në 5,2 milionë banorë dhjetë vitet e fundit, dhe aktualisht kemi 200 nacionalitete të ndryshme,” informoi profesori i universitetit të Milanos.