Reali i Zidane për “faqe të zezë”, asnjë goditje në portën e PSG-së

Reali Madrid vazhdon të zhgënjejë edhe gjatë këtij sezoni. Pavarësisht 8 pikëve të grumbulluara në 4 javët e para të kampionatit, kundërshtarët në La Liga nuk kanë qenë të nivelit të lartë dhe sërish skuadra ka çeduar. Në ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kampionëve, skuadra madrilene u turpërua 3-0 nga PSG, edhe pse francezët nuk kishin në dispozicion tre yjet e sulmit, Mbappe, Neymar e Cavani.

 

3 gola të pësuar dhe asnjë i shënuar, por statistika që e bën akoma më dramatike këtë humbje nuk ka të bëjë me rezultatin por me faktin se në këtë ndeshje Los Blancos nuk goditën asnjëherë kuadratin e portës, diçka që nuk ndodhte që nga sezoni 2003-2004 pra plot 15 vjet më parë.

Edhe 2 golat që shënoi ndaj skuadrës franceze u anuluan nga gjyqtari, duke bërë që Zidane tashmë të fillojë të mendojë seriozisht për ta zgjidhur këtë situatë të rëndë.