Preç Zogaj: Urgjent reformë kushtetuese dhe zgjedhore

Për analistin dhe ish-deputetin Preç Zogaj, e vetmja marrëveshje që duhet të ulë palët në tryezën e bisedimeve duhet të jetë vetëm reforma zgjedhore. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Zogaj flet për natyrën e kësaj marrëveshje apo pakti që po zhurmon politika shqiptare, zgjidhjen e së cilës e shikon vetëm te ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Z.Zogaj, OSBE, në apelin drejtuar palëve politike në vend kërkon që dialogu të nisë nga reforma zgjedhore. Si i komentoni qëndrimet që po mbajnë palët për zgjidhjen e krizës?

Reforma Zgjedhore është në rendin e ditës. Thirrjet e ndërkombëtarëve dhe të misionit të Bashkimit Europian në Tiranë i përmbahen pikërisht kësaj reforme. Pra, është momenti për tu ulur dhe për të diskutuar për principet dhe për këtë reformë. Ulja e palëve në bisedime krijon premisa për të hapur një kapitull të ri, pas gjithë këtyre muajve ngrirje. Nuk bëhet fjalë për një gjë tjetër deri tani. Flitet vetëm për reformën zgjedhore. Misioni i OSBE-së në Shqipëri ka njoftuar një tryezë për partitë parlamentare dhe joparlamentare për reformën zgjedhore. Kjo thirrje është e drejtë! Duhet të ketë fleksibilitet nga palët e interesuara, sepse koha ikën shumë shpejt. Ne kemi një përvojë të hidhur nga e kaluara, sepse i lëmë gjërat për në fund ose nuk i bëjmë fare. Kështu që, është rasti që e kaluara të shërbejë si mësim dhe reforma zgjedhore të bëhet. Pastaj, pozicionet që mbajnë palët politike më pas është tjetër gjë. Zgjedhjet do bëhen, sepse zgjidhja e krizës në Shqipëri në fund do të vijë nga zgjedhjet. Nuk ka rrugë tjetër! Duhet të shkojmë në zgjedhje me një kod të ri zgjedhor dhe të reformuar. Nuk them të përmbysur, por të reformuar, ku të gjejnë përgjigje gjithë moria e çështjeve që kemi diskutuar për kaq vite, duke filluar me garantimin e votës, numërimin elektronik, me identifikimin e saktë të votuesve, me evitimin maksimal të shitblerjes së votës, deri me ndryshimin e sistemit zgjedhor, gjëja më e rëndësishme që lidhet me këtë reformë.

Në radhët e opozitës po flitet për një Pakt Kombëtar për zgjidhjen e krizës. A mendoni se janë të gatshëm palët për tu ulur në bisedime serioze për ndryshimin e sistemit zgjedhor, apo do jetë një marrëveshje si e 2017-ës, me pasoja negative për shqiptarët?

Jo, nuk bëhet fjalë për një marrëveshje si e 2017-ës. Ajo ishte një marrëveshje që i përgjigjej një rrethane të caktuar, që tashmë është e tejkaluar. Unë hapësirën për marrëveshje e shoh te reforma zgjedhore dhe te ndryshimi i Kushtetutës në funksion të ndryshimit të sistemit zgjedhor, për të kaluar në sistemin maxhoritar. Kjo kërkon që të ndryshohet Kushtetuta. Sigurisht, reforma zgjedhore bëhet dhe miratohet në Parlament. Kjo kërkon që të përfshihet edhe opozita parlamentare. Pra, është një reformë që kërkon gjithëpërfshirje të deputetëve, të partive brenda dhe jashtë parlamentit. Përsa i përket asaj që thuhet lart e poshtë, për një pakt kombëtar, unë them se duhet të presim. Nuk shoh hapësirë për një Pakt Kombëtar. Duhet të presim që të kuptojmë se çfarë nënkupton ky pakt. Përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit, zgjidhja është dhënë. Janë organet e reformës në drejtësi, si: SPAK, BKH-ja. Nuk ka formë rrugë tjetër për të luftuar krimin dhe korrupsionin në sferat e larta. Kjo është dhënë përmes një reformë konsensuale. Në këtë sens them, se nuk shoh lëndë që të na çojë te ideja e një Pakti Kombëtar.

A do t’i përfshijë kjo platformë të gjitha palët e interesuara?

Edhe unë kam dëgjuar për një platformë të tillë. Do të kjo platformë, që do të çojë drejt arritjes së një dialogu dhe marrëveshje. Është pozitive që opozita kërkon të prodhojë një dokument, që të çon drejt daljes nga ky tunel ku ka hyrë jeta politike e vendit me zgjidhje konkrete. Është koha që të mendohet sesi opozita të dalë vetë dhe politika në përgjithësi nga kjo krizë. Por ata akoma nuk kanë fole konkretisht. Platforma për zgjidhjen e krizës do të jetë një lloj rezymeje e rrugës dhe propozimeve që ka ndjekur opozita deri tani. Madje, opozita është në rrethin e propozimeve dhe vendimeve që ka marrë vetë. Por do të shikohet, sesa kanë reflektuar në këtë platformën e re dhe zgjidhjet që kanë rezultuar të gabuara. Sepse ka patur zgjidhje që nuk kanë dhënë efikas. Kështu që, një platformë e suksesshme i përmban të dyja aspektet: zgjidhjet e vjetra që janë akoma në fuqi, zgjidhjet e reja që parashikohen dhe reflektimi i zgjidhjeve të gabuara. Nuk e di a do të diskutohet përpara hartimit të saj edhe me strukturat e PD-së. Mendoj, se duhet bërë një diskutim i tillë, sepse situata është jashtëzakonisht delikate dhe e panjohur në historinë e PD-së.

Cilat janë vendimet e gabuara që ka marrë Partia Demokratike, të cilat nuk duhet t’i përsërisë?

Vendime të gabuara ishin djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhje. Unë mendoj, se nëse flitet për zgjidhje të reja duhet të pyetet anëtarësia. Duhet bërë një debat në nivel anëtarësie dhe në nivelin e elitave, brenda dhe rreth e qark Partisë Demokratike, sesi mund të dilet nga kjo situatë. Sepse zgjidhjet sa për të kaluar radhën nuk do kenë sukses. Koha po imponon një ndryshim të madh në rrafshin e rregullave të lojës politike, ku përfshihen edhe rregullat e lojës zgjedhore. Por përtej kësaj, duhet të presim për të parë se çfarë kuptojnë palët me Pakt Kombëtar. Sot, zhvillimet në Shqipëri i përcakton ndjeshëm ecuria e reformës në drejtësi. Dhe kjo është provuar! Kush nuk e ka kuptuar këtë, s’ka kuptuar asgjë nga zhvillimet politike në Shqipëri këto 2-3 vitet e fundit. Pra, është reforma që e ka shkruar historinë politike të këtyre muajve dhe vitin e fundit. Dhe do vazhdojë ta shkruajë deri sa të nisë nga puna. Duhet ta mbajmë mirë parasysh kur flasim për Pakt Kombëtar, sepse ka një gjë: elitat politike në Shqipëri nuk shikohen më si zgjidhje, por më shumë si problemi. Të gjithë duhet të kalojmë në këtë skaner të reformës në drejtësi që të vazhdojmë me zgjidhjen. Domethënë, është reforma që ka diktuar një raport tjetër me politikën. Kush kalon, vazhdon! Nuk ka ndonjë inkurajim as nga partnerët ndërkombëtarë për një pakt që garanton reciprokisht palët. Unë shoh vetëm një pakt për reformën zgjedhore, jo tjetër. Nuk shoh as në veprimtarinë e përditshme të opozitës që të synohet ndonjë pakt apo tryezë. Edhe tryeza për reformën zgjedhore mund të jetë një tryezë ekspertësh. Në fund ata mund tu vënë vulën, por nuk është e nevojshme që edhe kjo reformë të kalojë pas takimeve sensacionale që e kanë bërë kohën e tyre dhe nuk sjell asgjë të re.

Si e parashikoni fatin e Presidentit të Republikës, i cili po vijon të hetohet për dekretet e 30 qershorit. Nga kush varet vendimmarrja në mungesë të Gjykatës Kushtetuese?

Unë mendoj se opinioni i Venecias është këshillimor nga pikëpamja e formale dhe me rëndësi për këtë proces. Tradicionalisht opinionet e Venecias kanë qenë imponuese për vendimmarrjen që ka të bëjë për kushtetutshmërinë në Shqipëri. Besoj se edhe kësaj radhe kështu do të ndodhë. Është institucion me reputacion shumë të lartë për integritetin, profesionalizmin dhe pavarësisë. Unë mendoj, se maxhoranca do të qëndrojë prapa vendimit të Venecias. Edhe Gjykata Kushtetuese do të qëndrojë prapa Venecias, nëse ajo në mënyrën e saj le të kuptohet që kjo është jo kushtetuese. Nëse thotë, se kjo gjë është normale, atëherë e drejta kalon nga President, i cili i fuqizuar nga e drejta, do shpallë një datë të re zgjedhjesh dhe Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të reja. Do të bien zgjedhjet e 30 qershorit nëse Venecia lë të kuptohet se Presidenti ka të drejtë.

Çfarë parashikoni për çështjen e Integrimit të Shqipërisë dhe a prisni një vendim pozitiv nga Franca?

Është momenti më i mirë për vendet skeptike, që të bëjnë ndonjë gjest dhe të nxjerrin nga frigoriferi procesin e zgjerimit të BE-së pas 3-4 vjetësh që nuk bëhet asgjë. E përsërisin për të disatën herë që nuk është fjala për tu bërë anëtare, por thjesht për të vazhduar rrugën e gjatë të integrimit në një stacion tjetër. Është periudhë ideale, sepse zgjedhjet në PE kanë treguar se Europa ka një shumicë solide pro zgjerimit. Pra, nuk është e vërtetë që partitë populiste, ekstremiste anti BE, janë kaq shqetësim siç i bëjnë. Në këtë sens them që është momenti për t’i thënë PO Shqipërisë dhe Maqedonisë. Nga ato që kemi dëgjuar në prononcimet e bëra deri më tani, pak flitet për krizën. Më shumë flitet për situatën gjeopolitike. Shqipëria ka shumë probleme, por negociatat mund t’i hapin!

Burimi: Gazeta Shekulli