Top sekret/Kush ishin kosovarët që do digjnin Parlamentin me 8 qershor?

Zbulohet dokumenti i Shërbimit Informativ Shtetëror për realizimin e Rajhshtag-ut shqiptar dhe destabilizimin e vendit, ku do t’i lihej faji opozitës për djegien.

Informacioni i SHISH i jep të drejtë dekretit të Presidentit Ilir Meta për shmangien e përplasjes kombëtare me anulimin e 30 qershorit. Dje dokumenti sekret mbërriti të komisioni hetimor parlamentar, por disa deputetë nuk kanë cerfitikatë sigurie, pra nuk kanë të drejtë për të lexuar dokumente sekrete shtetrore.

Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) ka dorëzuar dje në Komisionin Parlamentar Hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit informacionin zyrtar që flet për destabilitetin e vendit para 30 qershorit. Dokumenti jep detajet mbi skenarë dhune dhe djegie të godinës së Parlamentit, të cilat pritej të ndodhnin gjatë protestës së opozitës. Informacionet në shkresën e SHISH tregojnë se agjentët e infiltruar kanë marrë të dhëna se në protestën e opozitës me 8 qershor 2019 do të përfshihej  një grup paramilitar i ardhur nga Kosova apo trevat e tjera etnike shqiptare. SHISH informon se ky grup kishte në përbërje të tij njerëz me formim ushtarak dhe kishte si mision final djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Dokumenti i SHISH, kreu i të cilit është përzgjedhur nga Kryeministri Edi Rama, është një nga provat më të qarta se Presidenti Ilir Meta kishte të drejtë në vendimin e zhdekretimit të 30 qershorit. Në argumentet që ka dhënë Presidenti në komisionin hetimor dhe në raportin e dërguar në Komisionin e Venecias, ka shpjeguar se ishin pikërisht këto informacione të institucioneve serioze, të cilat bashkë me argumentet e tjera ligjore, e detyruan të anulonte 30 qershorin. “Informacioni bënte të qartë se persona të caktuar do të përpiqeshin që të shfrytëzonin mitingun e lajmëruar ngas opozita për në datën 8 qershor, ku përveç akteve të tjera edhe djegien e Kuvendit të Shqipërisë”, deklaroi presidenti Ilir Meta në sqarimet para komisionit hetimor. Që nga momenti i zhdekretimit kryeministri Edi Rama dhe gjithë zyrtarët e Partisë Socialiste kanë mohuar se vendit i kanosej ndonjë rrezik  i tillë. Gjithashtu kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni të një informacioni për djegien e Parlamentit. Por shkresa zyrtare e SHISH ka zbuluar dje, jo vetëm se në radhët e mazhorancës mashtrojnë, por edhe se ka një sërë institucionesh që duhen hetuar për mos zbatim të ligjit. Informacionet sekrete të këtij niveli nuk i shkojnë vetëm Presidentit të Republikës, por edhe Kryeministrit. Kur bëhet fjalë për çështje që prekin sigurinë e kombëtare, SHISH komunikon dhe me strukturat e Ministrisë së Brendshme apo Ministrisë së Mbrojtjes. Rasti në fjalë ka gjithë elementët që mund të klasifikohet edhe si kërcënimi më serioz ndaj stabilitetit të vendit dhe sigurisë.

Pra, ky informacion ku është bazuar kreu i shtetit, në rrugë po zyrtare duhet t’i jetë vënë në dispozicion dhe shumë zyrtarëve të lartë të qeverisë. Pyetja që shtrohet është përse kryeministri Edi Rama, edhe pasi informohet nga SHISH për një kërcënim të tillë nuk hiqte dorë nga provokimi i opozitës në protesta. Kujtojmë që para 8 qershorit kryeministri dhe ministri i Brendshëm premtonin se zgjedhjet do të mbaheshin edhe nëse shumë persona hynin në burg, apo edhe nëse do të kishte të lënduar (viktima)! Sot PS dhe kryeministri po mbajnë në këmbë me çdo kusht një komision hetimor kundër Presidentit për anulimin e datës. Informacioni që dorëzoi dje SHISH tregoi se duhet një hetim parlamentar jo për Presidentin, por për institucionet dhe vetë mazhorancën që ishin në dijeni të një sulmi terrorist dhe nuk reaguan. Madje jo vetëm që e mohuan ekzistencën e këtij informacioni, por me gjuhën e përdorur dhe provokimet duket se kanë punuar që kjo të ndodhë. Qeveria dhe deputetët që hetojnë presidentin sot duhet t’u tregojnë shqiptarëve se kush ishte pas këtij grupi paramilitar që kishte përsipër këtë detyrë? Kush ka qenë interesuar që bashkë me ndezjen flakë të Parlamentit, të shkaktonte dhe një përçarje kombëtare duke nisur një sherr mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë? Këtu del në skenë dhe skenari tjetër që mund të krahasohet vetëm me djegien e  Rajhshtag-ut gjerman. Pak pasi nazistët kishin ardhur në pushtet në Gjermani inskenuan djegien e parlamentit duke akuzuar më pas opozitën. Djegia e Rajhshtag-ut shërbeu si motiv për të nisur spastrimin e gjithë kundërshtarëve dhe hapjen e rrugës së diktaturës naziste. Një variant i tillë, por para 30 qershorit, me një Shqipëri që ishte kaos dhe protesta, djegia e Parlamentit mund të shënonte nisjen e një përplasje civile në Shqipëri. Sesi do të rridhnin ngjarjet më pas askush nuk mund ta parashikojë, por që qeveria do të akuzonte dhe arrestonte opozitën, këtë nuk e vë njeri në dyshim. Mjaftojmë të kujtojmë që nga muaji shkurt deri në 8 qershor, vetëm se protestonin dhe i zinin rrugën eskortës së Edi Ramës u arrestuan dhe burgosën me shumë se 600 qytetarë.

Nga dje komisioni hetimor duhej zhbërë dhe mbyllur me turp, pasi dokumenti sekret e verteton atë që do të ndodhte në Tiranë me 8 qershor 2019. Ishte Presidenti Meta që parandaloi djegien e parlamentit me lajmërimin e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky është akt patriotik dhe kushtetues. Ndërsa mazhoranca po vazhdon aktin e turpit të saj.

Mili Xhani