Sa po vonon vendimi i gjykatës për ish-ministrin Sajmir Tahirin!

Vendimi i gjykatës së Tiranës po vonon prej 5 orësh e ca për Sajmir Tahirin.

Trupa gjykuese që do të vendosë për fatin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, përbëhet nga gjyqtarët: Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.

Flora Hajredinaj është kryesuesja e trupës, e cila ka në shqyrtim edhe dosjen ndaj Klement Balilit. Kjo gjyqtare ka shqyrtuar gjithashtu edhe çështjen e ngritur ndaj Dritan Zaganit, për të cilin ka dhënë masën e sigurisë ‘arrest me burg në mungesë’.

Ndërsa Irena Gjoka është po ashtu një emër fort i lakuar në lëmin e dënimeve të bujshme në lëmin e drejtësisë. Ajo është e njohur për dënimin e përjetshëm të dhënë ndaj Dritan Dajtin, autorit të vrasjes së 4 policëve në vitin 2009.

Ndërsa Ardit Mustafaj është pjesë edhe trupës që po shqyrton çështjen ndaj Klement Balilit. Ky gjyqtar ka marrë pjesë në vendimmarrjen, ku iu dha liria Arben Frrokut, i cili akuzohej për vrasjen e komisar Dritan Lamaj. Për shkak të detyrës, Mustafaj është përballur edhe me një rast kërcënimit me jetë, nëpërmjet një letre që iu hodh në banesën e tij në vitin 2012.

Image

Ndërkohë, të gjithë i kanë sytë nga Gjykata e Krimeve të rënda që pritet të komunikojë nga çasti në çast vendimin për Tahirin. Ish-ministri më jetëgjatë i Punëve të Brendshme akuzohet për bashkëpunim me bandën e Habilajve në trafikimin e drogës drejt Italisë. Ndaj tij janë ngritur tri akuza: ‘Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal’, ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale’ dhe ‘Grup i strukturuar kriminal’.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 12 vite burg për ish-ministrin, pretencë që nëse do të pranohet, do të reduktohej në 8 vjet, për arsye të pranimit të kërkesës  për gjykim të shkurtuar. Bashkë me të, të pandehur janë edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode.