Flet Tahiri: Gjykata më tha, “je i pafajshëm, por s’kemi këllqe të ta themi”

Ish-ministri Saimir Tahiri ka deklaruar se gjykata e ka nuk e ka cilësuar si kriminel dhe as trafikant, por e ka dënuar vetëm se kushërinjtë e tij janë marrë me trafik.

“Gjykata më tha që nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi kriminal. Por meqë disa kushërinj të mi kanë qenë me probeleme duket duhet të dënohem për shpërdorim detyre. Mu duk një gjë e tipit ‘je i pafajshëm, por s’kemi këllqe të ta themi”,- tha Tahiri.

Gjyqtarët; Flora Hajredinaj, Irena Gjoka dhe Ardit Mustafaj kanë rrëzuar tre akuzat e Prokurorisë dhe e kanë dënuar për shpërdorim detyre.

Saimir Tahiri u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Të gjitha këto akuza kanë rënë dhe ai u dënua me 5 vjet, nga të cilat do të bëjë shërbim prove dhe jo burg, 3 vite.