Analisti shpërthen “bombën”: Jo vetëm djegie e Parlamentit, por dhe vrasje për trazira me 8 qershor

Gazetari i njohur investigativ Artan Hoxha ka dhënë detaje të tjera lidhur me dokumentin e SHISH, ku Presidenti Ilir Meta u bazua për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Sipas SHISH gjatë protestave rrezikohej djegia e Kuvendit nga një grup paramilitar i ardhur nga Kosova apo trevat e tjera etnike shqiptare. Ky grup në përbërje të tij kishte njerëz me formim ushtarak, me misionin final, djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të tjera për këtë grup nga Kosova dhe si u futën në Tiranë. Hoxha theksoi se bëhej fjalë për një grup prej 10-14 personash nga Kosova që kanë qenë edhe pjesë e luftës.

Hoxha thotë se ky grup do të digjte fillimisht Kuvendin dhe me pas do të bënte vrasje për të kryer trazira dhe destabilitet në vend.

Që kur ka nxjerrë dekretin Presidenti, që atëherë kam kërkuar që Presidenti të japë sqarime se për çfarë bëhet fjalë, nga çfarë rreziku po na shpëton ai. Kaloi 30 qershori, sërish i kërkuam kush ishte rreziku? Është një informacion që e kam marrë kur zhvilloheshin protestat, mesa di unë SHISH i ka çuar informacion policisë që ka grupe personash nga Kosova, me të kaluar ushtarake, e që mund të jenë pjesë e një skenari që do të synojë incidente me pasoja tragjike në Tiranë.

Situata u bë më e rëndë kur orari i protestave ndryshoi nga dita kaloi gjatë natës. U bë edhe më problematike, pasi incidentet nuk ndodhnin më para Kryeministrisë, por para parlamentit, hapësira ishte e ngushtë, ndriçimi i dobët dhe bëhej e vështirë mbajtja nën kontroll. Unë këtë informacion e kam konsultuar me policinë, ata kishin dijeni. Bëhej fjalë për një grup 10-14 persona që kishin ardhur 48 orë para protestës se 8 qershorit, pra një ditë përpara. Ky grup ra në sy sepse përbërja ishte e njohur në Kosovë dhe Maqedoni dhe në rast të një situate mund të shkaktonin probleme, incidente apo vrasje – deklaroi Hoxha në Report TV.

Hoxha zbuloi dhe detaje mbi origjinën e grupit dhe rrezikshmërinë e këtij grupi. “Aleatët tanë, SHBA këmbëngulën që nëse do të kishte incidente përgjegjësia do të ishte e organizatorëve dhe ata nuk kishin interes që të ndodhte dicka e tillë, pasi ata e kishin thirrur protestën. Ata kanë ardhur dhe kjo është e dokumentuar. Ka shpresa zyrtare. Para çdo proteste SHISH ka çuar shkresa të tilla. Policia e Tiranës është njoftuar nga SHISH, jo vetëm më 8 qershor, por edhe më parë. Ky grup vjen nga Dukagjini. Kanë marrë pjesë në luftërat për çlirimin e Kosovës, kanë njohje dhe organizim me njëri tjetrin”- tha ai.