Presidenti Meta në Strasburg, Blushi: Kudo në botë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve

Presidenca ka reaguar pas lajmeve në disa media që komentonin vizitën e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta në Strasburg. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, përmes një postimi në facebook, thekson se Kreu i Shtetit do ta vizitojë kryeqytetin e të drejtave të njeriut, ”pasi vetëm respektimi i tyre çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen”. Zëdhënësi thotë se Kreu i Shtetit, do të vizitojë çdo vend të botës për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Nga ana tjetër, Blushi bën të ditur se në këtë takim, Presidenti Meta është i shoqëruar nga përfaqësuesit diplomatikë të shtetit shqiptar pranë Këshillit të Europës.

Reagimi i plotë

I njoftojmë përsheshngrënësit e portaleve në të zezë të dezinformojnë më me dinjitet. Presidenti Meta është për vizite pune në Strasburg dhe i shoqëruar në çdo takim nga përfaqësuesit diplomatikë të shtetit shqiptar pranë Këshillit të Europës.

I sqarojmë përsheshngrënësit se Presidenti Meta do ta vizitojë më shpesh Strasburgun, kryeqytetin e të drejtave të njeriut, pasi vetëm respektimi i tyre çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen. I sqarojmë gjithashtu se Presidenti Meta nuk ka nevojë të lobojë, as në të bardhë, e as në të zezë. Presidenti Meta do t’i mbrojë të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në Strasburg, në Bruksel, në Nju Jork dhe kudo në botë, hapur e në mënyrë parimore.

Shqipëria si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe si vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian, ka detyrim ligjor të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj, siç e detyrojnë të gjitha dokumentat e konventat që janë në fuqi.