Presidenti Meta me zyrtarin e KiE: Demokracia në radhë të parë është vendore

Presidenti i vendit, Ilir Meta, ndodhet në Strasburg ku po zhvillon takime me drejtues të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, që njihet edhe si një nga organizatat më të mëdha për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Ditën e sotme, kreu i shtetit është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, z.Andreas Kiefer me të cilin janë dakordësuar për domosdoshmërinë e një misioni të Kongresit në Shqipëri në një kohë sa më të afërt. Situata në vend ka qenë në fokus në diskutimeve me zyrtarin e KiE-s.

Takim konstruktiv në Strasburg me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, z.Andreas Kiefer. Shkëmbyem mendime të vlefshme për mbështetjen që Kongresi mund të japë në kapërcimin e krizës së qeverisjes vendore në Shqipëri pas 30 qershorit, në përmbushjen e standardeve demokratike që vendet anëtare të këtij institucioni, sikundër është vendi ynë, janë të obliguar të respektojnë dhe për ndërmarrjen e hapave konkretë nga ana e Kongresit në këto drejtime. U dakordësuam për domosdoshmërinë e një misioni të Kongresit në Shqipëri në një kohë sa më të afërt. Demokracia në radhë të parë është vendore”, shkruan Meta në Facebook.