Patozi: Kriza e sistemit tonë politik që nuk prodhon, as demokraci, as stabilitet

Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi shprehet se kriza aktuale e sistemit politik nuk prodhon demokraci dhe as stabilitet. Në një intervistë për “ABC News”, Patozi shprehet se vendi ndodhet në krizë të fortë përfaqësimi.

Si mund ta përshkruani situatën politike sot në Shqipëri dhe cila është sipas jush rruga për ndryshimin e gjendjes? Mendoni se në këto kushte ka shanse reale për dialog mes mazhorancës dhe opozitës, apo jemi ende larg kësaj pritshmërie?

Shqipëria ndodhet sot nën trysninë e një krize të fortë përfaqësimi, si asnjëherë tjetër më parë në këto 30 vjet. Nga njëra anë, qeveria e cila nuk po e administron dot mbipeshën e një pushteti të pamerituar, një pjesë e të cilit i është falur në mënyrë të papërgjegjshme vitin e fundit. Dhe nga ana tjetër, opozita që po e vuan shumë mungesën e plotë të tij në të gjitha nivelet.
Dhe, sipas nesh, e vetmja rrugë në këto kushte për të dalë nga kjo spirale e rrezikshme do të ishin zgjedhjet e parakohshme, të cilat mund dhe duhet të vendosnin ekuilibrat e duhur të normalitetit në shoqëri.
Por për të qenë realistë, kësaj qeverie të lodhur, sa nga skandalet dhe problemet e veta, aq edhe nga mbingarkesa, nuk mund t’i kërkohet që të provokojë zgjedhje të reja, sepse do të ishte nonsens, në çdo aspekt që ta shikosh.
Mendoj se ky detyrim i takon opozitës, e cila duhet të jetë e qartë dhe shumë e vendosur në arritjen e këtij objektivi, më i rëndësishmi dhe më emergjenti sot.
I quaj sinjale të mira deklaratat e disa përfaqësuesve politikë opozitarë, që kanë hequr dorë nga kushti, se në zgjedhje nuk mund të shkohet me Edi Ramën, por jemi ende shumë larg asaj që pritet.
Në rast se opozita do të hezitojë apo do ta trajtojë atë si një hall vetëm të mazhorancës, me shumë gjasa kjo qeveri do të zvarritet deri në vitin 2021 dhe pasojat do të jenë shumë të rënda për të gjithë shoqërinë.
Është i vetmi rast, kur një ngjarje e rëndësishme politike për vendin është tërësisht në dorë të një pale. Mendoj se kjo qeveri e lodhur e ka të pamundur që t’i refuzojë zgjedhjet e parakohshme, nëse opozita do t’i kërkojë realisht ato, pa hyrë në rrafshin e pafundëm të debateve me kushtëzime, me të cilat mund ta shtysh edhe 100 vjet, nëse e ke qëllim.

Kohët e fundit po flitet shumë për reformën zgjedhore si një prioritet që mund të çojë në rinisjen e dialogut politik mes palëve në konflikt. Këtë po e theksojnë shumë edhe ndërkombëtarët. Sa mendoni se do të shërbejë ky debat dhe si e shikoni të ardhmen e tij, në funksion të qetësimit të situatës?

Kam bindjen e plotë se ne kemi nevojë për një reformë thelbësore të sistemit tonë politik dhe jo për një retushim të lehtë të Kodit Elektoral. Mendoj se ndryshimet kushtetuese të 2008-ës ishin një gabim, pasojat e të cilit ne po i vuajmë në kurriz sot.
Sistemi jonë sot favorizon hapur partitë kryesore, ndërkohë që këto të fundit i kthen në sulltanate të kryetarëve, për shkak të listave të mbyllura. Kjo ka sjellë deformime të mëdha, që nuk shfaqen vetëm, kur ka zgjedhje, të cilat nga ana e tyre sa vijnë e bëhen më problematike në Shqipëri.
Për shkak të këtyre pasojave, Shqipëria është sot më pak demokratike dhe ka më pak stabilitet se në të shkuarën, dhe pyetja është se përse duhet ende ky sistem që është provuar se nuk prodhon, as demokraci dhe, as stabilitet.
Por ata që e kanë marrë me entusiazëm dhe si një lojë këtë kauzën e ndryshimit të sistemit duhet ta dinë se kjo nuk është fare një ndërmarrje e lehtë. Përkundrazi, është një mision shumë i vështirë, ngaqë nuk ma zë goja të them i pamundur.
Shenjat e para janë dhënë nga përfaqësues të lartë të dy partive kryesore, të cilët nuk e kanë fshehur bezdinë që kanë për hapjen e kësaj teme.
Partia Socialiste duket se deri tani është e prirur të shkojë deri tek depolitizimi i komisioneve zgjedhore, ndërsa Partia Demokratike, as për këtë nuk është shprehur dhe mesa duket nuk është dakord.
Nëse reforma zgjedhore do të jetë sipërfaqësore, jam shumë i sigurt se Shqipëria nuk do ta kapërcejë krizën politike, por thjesht do ta vonojë dhe do ta shtyjë për shumë larg zgjidhjen e saj.

Si e shikoni rolin e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri? Dje zoti Basha deklaroi në Shkodër se zgjidhja nuk ka për të ardhur nga jashtë. A jeni dhe ju dakord me këtë këndvështrim?

Jo, absolutisht. Jam plotësisht i bindur se, sa më shumë të rëndohet situata politike në Shqipëri, aq më shumë nevojë kemi për partnerët tanë ndërkombëtarë. Deklaratat patetike të këtyre sovranistëve të vonuar, që e ushtrojnë këtë profesion part time, gjithmonë më kanë shkaktuar humor.
Sepse më kujtohet ajo seanca e parlamentit për Reformën në Drejtësi, kur ngritën kartonin jeshil plot 140 deputetë, madje do të kishim qenë 141, bashkë me Lulzim Bashën, i cili erdhi në llozhë për të duartokitur, ngaqë nuk kishte mundësi të votonte. Po ashtu, mbaj mend ato paralajmërimet për protesta, që do t’i vinin flakën Tiranës, të cilat pas vetëm një telefonate nga larg, përfundonin me kordone militantësh që i dhuronin lule policëve.
Duhet ta pranojmë se gjëmat më të mëdha ne i kemi bërë atëherë kur është zbehur pak vëmendja ndërkombëtare apo kur na kanë lënë që t’i gjejmë zgjidhjet vetë, me shpresën se mund t’ia dilnim edhe pa ata. Dhe për shembuj nuk ka nevojë të shkojmë larg. Sepse në të tilla raste, ose bëjmë pazar të pisët si më 17 maj, ose e çojmë vendin deri në buzë të greminës, si më 30 qershor të këtij viti.
Ndaj edhe investimi i tyre, sidomos tani që jemi në krizë, është i pazëvendësueshëm dhe i dosmodoshëm.
Ndërkohë, uroj shumë që edhe të huajt që merren me Shqipërinë ta kuptojnë se kjo nuk është thjesht një krizë e personazheve të rëndësishëm politikë, që mund t’i kenë lodhur edhe ata gjithë këto vite, po se këtu është në krizë të thellë kryesisht sistemi politik.

Aleatët e Partisë Demokratike kanë lënë të kuptohet se i kanë kërkuar zotit Basha që të ftojë çdo faktor politik opozitar që të bashkohen për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti. Në rast se kjo është e vërtetë, a jeni ju i gatshëm t’i përgjigjeni një ftese të tillë nga kryetari i PD?

Unë nuk refuzoj dhe nuk paragjykoj askënd, por e kam të vështirë që të jap përgjigje për ngjarje që nuk kanë ndodhur, por që thjesht janë hipotetike. Në kuptimin klasik, si formacion opozitar nuk përjashtojmë asnjë lloj bashkëpunimi me çdo forcë tjetër politike në opozitë, ku padyshim ka rolin e vet të rëndësishëm edhe Partia Demokratike.
Rëndësi ka që ne të na bashkojë idea për të shkuar në zgjedhjet e parakohshme me një reformë elektorale të ndryshuar në mënyrë thelbësore dhe jo të arnuar sa për të kapërcyer radhën, sepse nuk e shikojmë aty zgjidhjen. Në rast se ky qëllim nuk ekziston apo kompromentohet, duke u futur sërish në hullitë e preteksteve apo alibive me kushtëzime, që nuk u gjendet fundi, kam frikë se ne shkojmë sërish në pozicionet e ndara të para 30 qershorit. Një gjë që nuk do ta uroja.
Por nëse opozita do të jetë e bashkuar në këtë objektiv, janë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit, i cili patjetër të çon tek rezultati për ta larguar sa më shpejt që të jetë e mundur qeverinë e “Rilindjes”.
Në këtë rast, ne do të bënim me shumë përkushtim pjesën që na takon si parti opozitare.