Fotolajmi/ Mark Babani pasi dorëzoi gjurmët e gishtave

Kryetari i bashkisë së Vau i Dejës, Mark Babani ishte sot në laboratorin e policisë shkencore për të dorëzuar gjurmët e gishtave.

Ora News siguroi një foto pak minuta pasi Babani doli nga laboratori ku kishte dorëzuar gjurmët e gishtave. Ai është ndalur në një lokal për të konsumuar një kafe. Fotoja u sigurua nga gazetari Besar Bajraktaraj.

Njësia e Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme i ka kërkuar kreut të Bashkisë Vau Dejës dorëzimin e shenjave të gishtave, pas akuzave të Partisë Demokratike.

Kërkesa i është nisur Babanit me postë, ndërsa i kërkohej që shenjat e gishtave të dorëzohen në Institutin e Policisë Shkencore në Shkodër ose në Tiranë.

Kjo e fundit më pas dërgon të dhënat pranë Njësisë së Dekriminalizimit.

Partia Demokratike pretendohen se socialisti është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”.

Ky është rasti i tretë i kryebashkiakëve socialist që akuzohet nga PD, pas Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe Agim Kajmakut në Vorë..