Basha: Rrisim pagën minimale në 300 euro në muajt e parë të qeverisjes

Kryedemokrati, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij në Kongresin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë deklaroi se “Na duhet një drejtim i ri, një ndryshim. Na duhet shteti. Një plan i ri, një vizion se si vendi të dalë nga kjo gjendje kolapsi”.

Ai tha se tashmë PD ka gati planin e ri qeverisës se si vendi të dalë nga gjendja e kolapsit sipas tij.

Më tej, Basha theksoi se brenda 6 muajve të parë të qeverisjes së PD-së, paga minimale do të rritet në 300 euro.

“Fëmijët tanë pavarësisht nga mosha e shohin dhe ikjen e shpresës dhe të mundësive dhe kanë si aspiratë largimin nga vendi. Vendi ka mbetur me marshin indietro. Shkaqet e gjithë kësaj janë një kulturë korrupsioni që karakterizon jetën e shqiptarëve, nga politika, biznesi dhe shëndetësia. Na duhet një drejtim i ri, një ndryshim, dhe na duhet shteti. Një plan i ri, një vizion se si të dalë nga kjo gjendje kolapsi. Opozita e bashkuar, PD, e ka vizionin për një Shqipëri europiane. Së bashku e ekspertët tanë ndërkombëtare, ne po bëjmë gati shpalosjen e këtij plani në konsultim të plotë me të gjithë faktorët, siç është dhe partneri i parë; Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë”, tha Basha.