Veliaj, surprizë për nxënësit e Tiranës: Gjithmonë fansi juaj më i madh

Sikurse është bërë tashmë traditë, kryebashkiaku Erion Veliaj u ka dërguar dje nga një letër të gjithë nxënësve të kryeqytetit për t’i uruar për vitin e ri arsimor.

Në letrën plot këshilla për nxënësit e kryeqytetit, Veliaj u kërkon atyre që të jenë mendjehapur ndaj së resë dhe të marrin me pozitivitet dhe entuziazëm çdo sfidë bashkë me familjarët e miqtë si një skuadër.

Duke i cilësuar ata si motivin e punës së tij dhe aleatët më të mirë që ka në sfidën e madhe për ndryshimin e qytetit, Veliaj liston një sërë projektesh të rëndësishme që priten të realizohen në Tiranë.

Letra emocionuese e Veliajt për nxënësit e Tiranës
Përshëndetje! Urime dhe suksese në këtë vit të ri shkollor! Këshilla ime e vetme ndaj të gjithëve ju është: “Jini mendjehapur”, pasi, siç e thotë një shprehje e njohur, “Mendja është si parashuta, funksionon më mirë kur hapet”! Merreni me pozitivitet dhe entuziazëm çdo sfidë; mos ngurroni ta doni atë me shokët e familjarët, pasi në skuadër sfidat janë më të lehta se sukseset më të ëmbla. Doja t’ju folenderoja nga zemra! Jeni ju motivi i punës sime dhe aleatët e mi më të mirë, në sfidën e madhe për ndryshimin e qytetit! Jam i lumtur që këtë vit kam patur mundësinë të takoj kaq shumë të rinj të zgjuar dhe entuziastë, apo të njihem me projektet e tyre fantastike.

Jam kaq krenar për Arlën, Dean dhe Jonadën, që fituan çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar në SHBA me aplikacionin “GjejZa”, po aq edhe për Denin e Arkidin, që fituan medaljet e bronzit në Kimi dhe Informatikë, në Olimpiadën e Metropoleve, Moskë. Shkollat janë vendet ku ju edukoheni dhe formoheni si qytetarët e së ardhmes dhe si të tilla, ato duhet të ofrojnë kushtet më të mira. Palestrat, fushat sportive, laboratorët dhe hapësirat rikrijuese do të jenë në dispozicionin tuaj edhe pas përfundimit të shkollës, në mënyrë që të hapni dyert e imagjinatës dhe të zhvilloni më tej aftësitë tuaja. Do të vijojmë intensivisht punën për projektin e Piramidës, për ta kthyer në qendrën më të madhe të zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit në Ballkan. Aty do të keni mundësi të mësoni e të njiheni me shumë shokë e shoqe, të cilët ndajnë të njëjtin pasion me ju.

Por, që të kemi mundësi të zhvillojmë më tej të ardhmen, ju mirëpres në nismat e mbjelljes së pemëve, pastrimit të qytetit apo riciklimit të mbeturinave. Gjatë shtatorit do të nisim një fushatë të quojtur STEPtember, dhe zotohemi të përdorim më pak makinat, duke ecur e pedaluar më shumë. Kështu, bëhemi gati edhe për maratonën në 13 Tetor. Më e mira na pret! Le të ndërtojmë së bashku qytetin që Ju ëndërroni, hap pas hapi, sfidë pas sfide, sukses pas suksesi. Jemi një skuadër e madhe pune për Tiranën, të cilën kemi fuqinë dhe mundësinë ta projektojmë ashtu siç ne dëshirojmë. Forca dhe suksese! Gjithmonë fansi juaj më i madh, Erion VELIAJ.