Tkurrja e popullsisë, Presidenti Meta: Zgjidhja nuk është largimi por ndryshimi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në facebook, ka shpërndarë artikullin e ”Zërit të Amerikës” që flet për largimin e popullisë. Teksa e cilëson si moment reflektimi, Kreu i Shtetit bën thirrje që ti jepet fund antagonizmit të paprinciptë politik, për të cilin thekson se: ”Ka sjellë një erozion të tmerrshëm social, jo vetëm vlerash dhe besimi”. Kjo situatë për Presidentin ka ndikuar në cilësinë e arsimit. ”Çdo vit që kalon shkollat po përballen me sfidën e uljes së numrit të nxënësve”. Lidhur me këtë gjendje, thirrja e Kreut të Shtetit është për ndryshim pasi zgjidhja nuk është largimi.

 

Postimi i plotë

Të dashur miq, nisja e vitit të ri shkollor është një ngjarje e gëzueshme për shoqërinë tonë. Shumë urime pati dje. Por nga sot duhet të reflektojmë për tkurrjen dramatike të popullsisë, që po ndikon drejtpërsëdrejti edhe në sektorin e arsimit.

Çdo vit që kalon shkollat po përballen me sfidën e uljes së numrit të nxënësve. Është koha të mendojmë seriozisht për të ardhmen tonë, për t’i dhënë fund antagonizmit të paprinciptë politik që ka sjellë një erozion të tmerrshëm social, jo vetëm vlerash dhe besimi.

Ju ftoj të ndiqni këtë kronikë për të kuptuar më qartë se ç’po ndodh në Shqipëri dhe se kujt i intereson një Shqipëri pa shqiptarë. Zgjidhja nuk është largimi por NDRYSHIMI!