Rastet Babani, Kajmaku dhe Pjetri, deputetja e PS: S’ka gjë për t’u shqetësuar

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, deklaroi në ”A2Cnn” se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar apo për ta fryrë situatën, kur u pyet për kandidatët socialist për kryetar bashkie të denoncuar nga Partia Demokratike. Sipas Felajt, bëhet fjalë vetëm për rastin e Valdrin Pjetrit në Shkodër, i cili dha dorëheqjen, pasi për Agim Kajmakun (Vorë) dhe Mark Babanin (Vau i Dejës) duhet pritur përgjigjja e institucioneve përkatëse.

“Që dikush të largohet nga detyra, nuk mjaftojnë deklaratat e partive politike. Ligji ka përcaktuar se cilat janë organet që duhet të grumbullojnë dokumente të caktuara. Ligji i dekriminalizimit i njeh të treja situatat: një fakt i cili ty të pengon të zgjidhesh në një detyrë publike mund të zbulohet para, gjatë ose pas zgjedhjes. Ne duhet të presim përgjigjen e organeve përkatëse dhe në rast se dikush e ka shkelur ligjin do të largohet nga detyra dhe mund të dënohet penalisht. Nuk ka gjë për t’u shqetësuar apo për ta fryrë situatën”, tha Felaj.

Deputetja socialiste shtoi edhe: “Nuk jemi penduar për askënd sepse i kemi kërkuar të gjithëve të plotësojnë formularin e dekriminalizimit dhe e kemi parë formularin përkatës. Partitë politike nuk verifikojnë dot formularët”.