Projektligji i “Fiskalizimit”, vijon konsultimi publik në nivel rajonal

Ministria e Financave dhe Ekonomisë vijon procesin e konsultimit publik për projektligjin e Fiskalizimit në nivel rajonal. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë takimit me bizneset e rajonit të Korçës diskutoi mbi modernizimin dhe ndryshimet thelbësore që kjo reformë sjell në drejtim të mundësimit të: Konkurrencës së ndershme; Klimës pozitive të të bërit biznes; Identifikimit të parregullsive; Modernizimit të vetë biznesit; Shmagies së evazionit; Proceseve të integrimit.

Komunikimi me biznesin do të vazhdojë edhe në muajt në vijim, në mënyrë që biznesi të jetë sa më i informuar dhe i qartë kur projektligji të nisë zbatimin, bën të ditur dikasteri i Ekonomisë.

“Ky ligj mundëson krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioni të bizneseve në vend bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale, gjenerata e re e kasave fiskale. Nga 1 janari 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek administrata tatimore në kohë reale bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale ndërsa 1 janari 2021 për të gjithë transaksionet ndërmjet biznesit me njëri tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike. Nuk do të ketë kasë të re. Do të ketë një mënyrë të re të përkthimit të të dhënave, por do të ketë një akt të ri, një protokoll i cili është punuar nga kompania që suporton procesin dhe do të ketë një kosto që mund të jetë API. Ne po punojmë me AKSH-in që të prodhojmë një AP që të jetë falas për tatimpaguesit”.