“Po më ndjek mafia ruse”, mister mbi zhdukjen e të riut nga Burreli

32-vjeçari Algert Koleci është larguar në mënyrë misterioze nga banesa e tij, ndërsa denoncimin për zhdukjen e të riut e ka bërë e motra. Me lot në sy ajo ka shkuar në polici, ku është shprehur se i vëllai mund të ndodhet në rrezik për jetën.

Në orën 12 të natës, E.Koleci, motra e Algertit, i është drejtuar organeve kompetente, ku ka deklaruar se i vëllai është kërcënuar nga mafia ruse. Gjithë alarmimi i saj i buron nga një mesazh që i ka nisur, në të cilin e vendoste në dijeni se “po ndiqej nga mafia ruse”.

Ndërkohë, më tej denoncuesja shton se Algert Koleci ka njoftuar edhe Policinë e Shtetit për këtë shqetësim. Që prej denoncimit të dorëzuar tri ditë më parë, policia nuk jep asnjë informacion nëse është gjetur apo jo i riu.

Koleci është një figurë e njohur edhe në arenën politike, në qytetin e Burrelit. Ai ësht angazhuar në fushatën e fundit politike, ku u pa si përkrahës i flaktë i Partisë Socialiste dhe Rilindjes.

32-vjeçari është i fejuar si dhe njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja. Ai komunikon rrjedhshëm në gjuhën turke dhe sipas “Gazetësë Si”, ka udhëtuar edhe në Rusi. Vetë i riu, përpara se të zhdukej e të largohej nga banesa, ka pasur frikë prej përndjekjes nga mafiozët rusë.