Olayinka trondit Interin, por Barella shpëton Conten në “frymën e fundit” (VIDEO)

Interi nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 1-1 në duelin e parë ndaj Slavias së Pragës në Ligën e Kampionëve. Skuadra italiane edhe pse po bën një paraqitje të shkëlqyer në Seria A, ku kryeson me 3 fitore në 3 ndeshje, në kompeticionin më të rëndësishëm për klube e kishte të vështirë për të zhvilluar një lojë të rrjedhshme.

 

Skuadra çeke mbajti mjaft mirë topin, por nuk mungonin as gabimet në prapavijë. Lautaro Martinez në fraksionin e parë shpërdoroi një mundësi të mirë shënimi përballë portierit, ndërkohë që Lukaku nuk arriti të ishte i saktë në dy raste. Në fraksionin e dytë Interi futet në fushë me një ritëm edhe më të ulët, duke bërë që Slavia të përfitonte..

Peter Olayinka, ish-futbollisti i Bylisit dhe Skënderbeut në Superligë shënoi një gol të thjeshtë, pas një përgjumje të mbrojtjes vendase. Arbitri e pa rastin me VAR, por do ta konfirmonte golin si të rregullt. Conte ndërhyri me 3 zëvendësime, por goli do të vinte vetëm në kohën shtesë. Në minutën e dytë shtesë, Barella arriti që ta dërgonte topin në rrjetë, i ndihmuar edhe nga një devijim i mbrojtjes së ekipit çek./R.Lika-Koha Jone/