Monopoli i kolaudimit – Autoriteti i Konkurrencës “padit” në Kuvend Ministrinë e Infrastrukturës

Autoriteti i Konkurrencës i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë për të kërkuar liberalizimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve. Përmes një pakete rekomandimesh të tetorit 2018, ky institucion i kërkonte Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që, me përfundimin e kontratës koncesionare me SGS Albania, tregu në fjalë të liberalizohej, duke krijuar hapësira për ofrues të tjerë shërbimesh. Por, rekomandimi në fjalë nuk është zbatuar, madje në fillim të muajit shtator Ministria e Infrastrukturës ka vendosur të zgjasë afatin e kontratës me SGS Albania deri në fund të vitit 2020, për më tepër pa dhënë zyrtarisht ndonjë argument për arsyet e këtij vendimi.

Në kushtet kur rekomandimi për të liberalizuar menjëherë tregun nuk është zbatuar, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit të Shqipërisë. Ky është vetëm një nga rastet e shumta kur qeveria dhe institucionet e pavarura nuk i marrin parasysh rekomandimet që lidhen me kufizimin e monopoleve dhe përmirësimin e konkurrencës në tregje.

Pas hetimit që u zhvillua vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës kërkoi liberalizimin e tregut të kontrollit teknik, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimit të servisit, sipas praktikës që ndiqet në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian. Gjithashtu, u kërkua nxjerrja e një sërë akteve administrative për të rregulluar aktivitetin e koncesionarit deri në përfundim të kontratës, por edhe në këtë rast rekomandimet janë shpërfillur.

Në përfundim të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës konkludoi se SGS Albania ka abuzuar me pozitën dominuese dhe e gjobiti me 51 milionë lekë. Ndërmarrjes iu vendosën gjithashtu disa masa korrektuese, për ndalimin e shkeljeve të konstatuara. Nga monitorimi i Autoritetit të Konkurrencës, ndërmarrja SGS Albania e ka zbatuar pjesën më të madhe të detyrimeve, ndërsa, në mënyrë paradoksale, Ministria e Infrastukturës nuk është shqetësuar të ndjekë asnjë prej rekomandimeve të përcjella.