Meta: S’ka betejë President-Kuvend, por mes shtetit të së drejtës dhe shtetit të propagandës

Në intervistën e dhënë sot në mbrëmje për emisionin “Tempora” në RTV Ora, Presidenti Meta ka sqaruar se: “Nuk ekziston një betejë e tillë midis Parlamentit dhe Presidentit. Kjo është një shpikje. Beteja e vërtetë është midis shtetit të propagandës dhe PPP-ve, dhe shtetit të së drejtës”.

PJESE NGA INTERVISTA


Gazetarja:
Ju po flisni për një shtet paralel, çfarë mund të bëjë Presidenti në këto kushte?

Presidenti Meta: Duke u sjellë në mënyrën më kushtetuese, më institucionale dhe sigurisht duke kërkuar edhe ndihmën e të gjithë aktorëve të tjerë të cilat nuk kanë interesa afatshkurtra politike, por të cilët janë realisht të preokupuar për këtë lloj pengmarrjeje të demokracisë dhe për këtë antagonizëm politik të paprinciptë, që u imponohet nga lart, dhe që nuk i shërben Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.

Gazetarja: Në fakt në këto momente që flasim mazhoranca, qeveria dhe Kuvendi, kanë nisur një betejë për shkarkimin tuaj nga posti i kryetarit të shtetit. Ju u paraqitët edhe në komisionin hetimor për këtë çështje. Në fakt, duket që beteja po spostohet tashmë në një tjetër rrafsh, në atë politik?

Presidenti Meta: Nuk ekziston një betejë e tillë midis Parlamentit dhe Presidentit. Kjo është një shpikje.

Beteja e vërtetë është midis shtetit të propagandës dhe PPP-ve, dhe shtetit të së drejtës.

Unë kam qenë në Kuvend për arsye, sepse nuk mund t’i lejoja shtetit të propagandës luksin që të pretendonte se Presidenti ka bërë një shkelje kushtetuese dhe prandaj nuk ka ardhur.

Opinioni publik është bombarduar në mënyrë të vazhdueshme me terma të shpikur që nuk ekzistojnë asgjëkund si “çdekretim” e fjalë të tjera, ndërkohë që ju e patë vetë dhe nga paraqitja ime dhe nga përpjekja ime për t’u përqendruar te çështjet kryesore dhe për të dhënë sqarime sa më shteruese, se Presidenti nuk kishte bërë, nuk ka bërë dhe nuk mund të bënte asnjë shkelje kushtetuese, përveçse ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës, parimeve të saj themelore dhe sidomos të të drejtës për të zgjedhur të të gjithë qytetarëve shqiptarë.