Kukësi ndryshon kalendarin, ja ku do të luhet sfida Kukësi-Tirana

FSHF ka modifikuar sërish kalendarin e javës së pestë. Kështu kryendeshja e javës, Kukësi-Tirana është spostuar në “Elbasan Arena” dhe do të luhet në orën 19:00, sipas një njoftimi të klubit verilindor në faqen zyrtare.

 

Vendimi i FSHF-së për të mos u luajtur më në mbrëmje, lidhej me mungesën e garancisë për të luajtur ndeshjet nën dritën e projektorëve, teksa vetëm “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi” plotësojnë kriteret e nevojshme.

Pikërisht për këtë arsye, Kukësi e spostoi ndeshjen kundër bardhebluve nga Kamza, në “Elbasan Arena”, ku mund të shmangë temperaturat e larta, por edhe të luajnë në një terren optimal për një ndeshje të një niveli të tillë.

Njoftimi zyrtar i Kukësit:

Ndeshja e Javës së Pestë për Kategorinë Superiore, FK Kukësi – KF Tirana, do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”.

Drejtuesit e Klubit tonë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, kanë vendosur që këtë ndeshje mjaft të rëndësishme ta zhvendosin në Elbasan, pasi në stadiumin e Kamzës po punohet për të arritur standardet optimale.

Ndryshe nga sa ishte planifikuar, përballja mes skuadrës nënkampione dhe asaj kryeqytetase do të zhvillohet në orën 19:00, pasi temperaturat parashikohen të jenë mjaft të larta.