Durrës, zbulohen 11 kg heroinë brenda gomës rezervë

Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, në mjetin tip Opel me drejtues shtetasin A. S. shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike.

Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës.

Gjatë kontrollit të imtësishsëm të automjetit në gomën rezervë dhe në brendësi të vendit ku ajo vendoset, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 pako me lëndë narkotike, me peshë 11 kg, e dyshuar si heroinë.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. S., 50 vjeç, banues në Zvicër, drejtuesi i mjetit.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.