Duma: S’ka marrëveshje Rama-Basha, por dialog për zgjidhje sistemore

Aksioni i opozitës së bashkuar nuk u finalizua nga dorëheqjen e Ramës si kryeministër, e megjithatë Grida Duma thotë se fakti që në vitin e 6 të qeverisjes së tij janë në diskutim zgjedhjet e parakohshme kjo është një fitore për opozitën.

E ftuar në RTV Ora, Duma thotë se pas raportit të OSBE-ODIHR, ndërkombëtarët na kanë dhënë dhe një shans tjetër për ti pasur në mbështetje absolute për ndërtimin e disa rregullave loje.

Grida Duma: Sa i përket fitores mendoj që jemi ende në sistuatën që nuk e masim dot. Jemi në vitin e 6 të qeverisjes Rama dhe po diskutojmë për zgjedhjet e parakohshme. Është një situatë e panjohur dhe si e tillë e paparashikueshme. U nda përceptimi se pozita dhe opozita janë njësoj.Një nga gjërat që ne gjithmonë duhet të mbajmë mirë në konsideratë është energjia e partnerëve strategjikë të cilët janë lodhur për të ndërtuar këtë sistem në Shqipëri dhe kërkojnë sistem me rregulla loje. Ndërkombëtarët pas raportit të OSBE-ODIHR na kanë dhënë dhe një shans tjetër për ti pasur në mbështetje absolute për të ndërtuar disa rregulla loje.Padyshim i kemi vendosur në vështirësi duke i bërë të kuptojnë një kontradiktë, të dalësh nga sistemi për të ndërtuar një sistem.

E pyetur nëse opozita gaboi me djegien e mandateve, Duma thotë se kjo strategji nuk mund të matet në këtë moment.

Grida Duma: Nuk mund ta masësh këtë si strategji sepse nuk jemi në fund të rrugës. Në këtë moment ku jemi fakti dhe përceptimi popullor që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme është një fitore. Normalisht rrotacionet politike kanë ndodhur një herë në 8 vjet, jemi në vitin e 6 dhe diskutojmë se do të kemi zgjedhje të parakohshme dhe kjo është e pranuar dhe nga e majta.

Edhe pse protesta nuk ka në dukje, Duma thotë se kjo nuk mund të përkthehet si periudhë qetësie.

Grida Duma: Protestat dhe mund të vazhdonin. U vendos apo nuk është vendosur kjo duhet të thuhet zyrtarisht nga PD. Pritet që forumet ta marrin këtë vendim.Nuk është periudhë qetësie.

Ndërkaq ish-deputetja demokrate përjashton kategorikisht një marrëveshje të re Rama-Basha.

Grida Duma: Është eskluduar si obsion. Platforma është një sinjal që gjithçka që ndodh të mos ketë emrin marrëveshje, por dialog për zgjidhje sistemore. Diskutimi çfarë duhet të rregullojmë në sistem.