Çelje e negociatave? Mesazhin për Shqipërinë, Tusk e dha në Maqedoninë e Veriut

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, këtë të martë pati një agjendë të ngjeshur me takime në lidhje me integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Tusk erdhi në Tiranë dhe dha një mesazh, i cili nuk ishte shumë i qartë, pasi nuk u kuptua qartësisht nëse ka ndonjë sinjale pozitive për hapjen e negociatave më 18 tetor.

Të lexosh sinjalet e gjuhës diplomatike, situata ngjan pak më ndryshe me takimin e parë të Presidentit të Këshillit të Europës, i cili është në fund të mandatit të tij. Mëngjesin e kësaj të marte, Tusk nisi takimet në Maqedoninë e Veriut, ku pas takimit me kryeministrin Zaev, shkroi në Twitter këtë mesazh.

”Shkupi është vendi më i mirë i mundshëm ku do të dëshiroja t’u bëj thirrje udhëheqësve të Bashkimit Europian: Tani ju bëni pjesën tuaj. Sepse Maqedonia e Veriut tashmë ka bërë pjesën e saj”. Mesazhi është i prerë. Maqedonia i ka bërë detyrat, tani kryetarët e shteteve të BE-së duhet të marrin përgjegjësi.

Kurse në Tiranë, pas takimit me kryeministrin Rama, Tusk shkroi këtë mesazh. ”Pranimi i Shqipërisë në BE është në interesin më të mirë të të gjithë Europës. Sepse Europa nuk do të jetë e qendrueshme dhe e sigurtë pa integrimin e të gjithë Ballkanit në BE. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë të përbashkët”. Kryeministri Edi Rama preferoi që komentet për çështjet e integrimit t’ja linte Presidentit të Këshillit Europian por u ndal në respektin e ofruar nga shteti shqiptar për Donald Tusk, një mbështetës i Shqipërisë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk gjatë takimit me kreun e qeverisë, Edi Rama u kujdes të përcillte mesazhin se Shqipëria nuk e meriton të diferencohet nga vëndet e tjera dhe duhet të trajtohen nga Europa me respekt. ”Vendi juaj duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe sipas meritave të veta ashtu si janë trajtuar dhe vendet e tjera dhe trajtohen vendet tjera të rajonit, të cilët ndajnë me ju objektivin e të bërit, pra e të qenit vend anëtare në BE. Në takimin e sotëm ne diskutuam edhe rëndësinë që ka për Shqipërinë ruajtja e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit krimit të organizuar, pra për sundimin e ligjit. Për fiksim apo opsesion në Bashkimin Europian për sundimin e ligjit dhe madje do të shtoja dhe dy elementë të tjerë si marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me pajtimet është pjesë e ADN tonë dhe ka për të qenë dhe ka për të vazhduar të jetë e tillë edhe kur ju të bëheni shtet anëtar. Kjo do të thotë se askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”.