Angjelina Gjeka, shtegtarja e prozës dhe e poezisë, vazhduese e rrugës At Zef Pllumi

Jak Rrozhani

Poetja dhe prozatorja e talentuar Angjelina Gjeka, nga Ishull-Shëngjini, Lezhë, është e lidhur jo vetëm me prozën dhe poezinë por edhe me fshatin e bukur bregdetar të lindjes; Ishull-Shëngjin, Lezhë. “Ta shkruash poezinë, është një gjë e bukur por ta duash poezinë, është një gjë hyjnore”,-shprehet Gjeka. E ka filluar që në fëmijëri artin e bukur të krijimtarisë letrare dhe deri tani ka botuar 5 libra në prozë e poezi dhe ka në dorë dy të tjerë për botim, në prozë e poezi. Duke vazhduar kështu, genin krijues të trungut familjar: të klerikut dhe shkrimtarit të shquar, At Zef Pllumi, sidomos me veprën e tij monumentale “Rrno për me tregue”, duke qenë mbesa e tij (vajza e vëllait). Ku deri tani ka botuar: “Mos më harroni edhe mua” poezi, 1990, “E dua syrin që qesh”, 2001, “Miku im deti”, prozë poetike, 2002, “Për ata që  po rriten”, libër për fëmijë, 2003, “Gaz e lot”, përmbledhje e poezive e së shpejti do të paraqitet me poezi e prozë poetike.

Ka një djalë të mrekullueshëm, nxënës të shkëlqyer: Florin, që do të vazhdojë rrugën e bukur por të vështirë të krijimtarisë të së ëmës. Angjelina ka botuar poezi në gazeta e revista të ndryshme, si “Zëri i Kosovës”, që botohet në Zvicër në revistën studentore, që botohet në Hanovër, Gjermani, në gazeten “Buzëqeshja lezhjane” etj. Për krijimtari letrare është shpërblyer me çmim në manifestimin multikulturor “Flaka e Janarit” , më 2003, është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. “Në të vërtetë jemi shumë por e bëjmë veten të mos jemi ose të jemi ata që s`duhet të jemi, pra asgjë e asgjsë”, shkruan Angjelina . Por ashtu, si shumë dallëndysheve, iu kanë pre krahët e nuk fluturoi e lirë por tani: “Megjithëse jam lindur /në një kohë me dimër/Prapë dimrin e munda/si Dragoi  Kuçedrën”.

Gjeka shkruan ujëvara proze e poezi: “Si një dallëndyshe e vetmuar, trokita lehtë në xhamin e dritës tënde, duke menduar se do të më hapnit dritaren por t`i më hape derën: prozë. Unë hyra e ndrojtur, sepse isha mësuar, që asnjë derë të mos më hapet, ose ata që ma hapnin për një moment, ma mbyllnin me të shpejtë, duke ma përplasur atë. Ndërsa grindesha me veten, duke qortuar përse trokita në këtë derë? Vazhdoja të ecja si në errësirë, kurse mendimet trembeshin dhe unë gjithnjë ndodhesha pas dyerve të mbyllura. Ofshaja e mallkoja fatin e thosha: O Zot ku jam? Përse ndodh kështu me mua? Rrëmoja në jetën time, për të gjetur ndonjë thërrime mëkati por më kot . Asgjë nuk vëreja, askund asnjë gjurmë. Veç shikoja ëndërra të ngrira, shpresa të kthyera në kristale loti (dhe) kur bëja të shihesha në to, ato shkriheshin në ujëvarë loti, që hidhej por asnjëherë nuk ankohej edhe nëse duart i vriteshin nga thepisja e shkëmbinjve. Sa  bukur ta kesh emrin: Ujëvarë: Dashurie: Ujëvarë Mirësie. Prozë-Ujëvarë. (Miku im det-Gjilan, 2002. Angjelina Gjeka)”. Ajo ka bashkëpuar edhe me poetë të njohur si Ndoc Gjetja etj.