Vuçiç flet në telefon me Palmerin, zbulohet biseda

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka biseduar në telefon me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Zyrtarit amerikan, Vuçiq i ka thënë se vendi i tij do të angazhohet për një kompromis të vërtetë dhe të qëndrueshëm në raport me Kosovën.

“Vuçiqi gjatë telefonatës, që është vazhdim i takimit të tyre në Nju Jork, ka përsëritur se do të vazhdojë të angazhohet për arritjen e një kompromisi të vërtetë e të qëndrueshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Metohisë duke mbështetur interesat e serbëve të atjeshëm, sikurse edhe për ruajtjen e interesave shtetërore e nacionale të Serbisë”, citon B92 të ketë thënë Vuçiqi gjatë kësaj bisede me Palmerin, përcjell koha.net.

Ndërkaq, është caktuar që të zhvillohet një takim mes Vuçiqit e Palmerit gjatë 10 ditëve të ardhshme.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për gjendjen e përgjithshme rajonale dhe janë pajtuar që paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është e një rëndësie thelbësore për përparimin politik dhe ekonomik të të gjithë rajonit.