Viti i ri shkollor nis me probleme të vjetra

Infrastruktura mbetet një nga problemet shqetësuese për nxënësit në rrugën e dijes. Nxënësit e shkollës “At Zef Pllumi” në Shëngjin, e kanë nisur mësimin në klasa që janë mbuluar nga lagështia dhe suvoja ka nisur të bjerë, ndërsa problem është dhe rrjeti elektrik.

Infrastruktura mbetet problem edhe në qarkun e Beratit, ku 1532 nxënës u ulën në bankat e shkollës. Sipas të dhënave nga Drejtoria Arsimore një pjesë e shkollave kanë probleme të theksuara. Në 8 shkolla 9-vjeçare në rrethin e Skraparit ka shumë probleme në lidhje me gjeëndjen teknike të shkollave pasi shkollat janë me mure të veshura me lagështirë, klasa të tejmbushura me nxënës dhe klasa kolektive, tualete jashtë çdo kushti sanitar.

Shkolla 9-vjeçare ”Mehmet Babamusta” në Kavajë ka rezultuar me probleme nga kontrolli i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Kjo është palestra që Inspektorati Shtetëror Shëndetësor e ka mbyllur për shkak të amortizimit të tejskajshëm të godinës dhe për mungesë të kushteve higjieno-sanitare. Mbyllja e saj do të vijojë deri në plotësimin e të gjitha detyrave të lëna. Për qarkun Tiranë janë bërë 1595 inspektime në institucionet arsimore dhe si rrjedhojë janë marrë 47 masa me gjobë si dhe 1 masë administrative. Vlera për mosrealizim detyrash është 200 mijë të reja.