Veliaj për memorialin turk: Ku janë patriotët? Te monumenti i Skënderbeut urinojnë çdo natë

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj argumentoi se përse vendosi të ngrinte memorialin turk në nder të viktimave që kundërshtuan tentativën e grushtit të shtetit në Turqi në parkun e Liqenit Artificial. Memoriali ka shkaktuar debate të mëdha, për më tepër që para 2 javës u thye. Shqiptarët janë të ndarë nëse ky memorial duhej ngritur apo jo.

“Nuk e caktoj unë çfarë mendimi ka një ambasadë apo komunitet, çfarë është e rëndësishme. Ditën e grushtit të shtetit, jo vetëm unë, jo vetëm Shtëpia e Bardhë, jo vetëm komisioni evropian, jo vetëm gjithë kancelaritë e huaja, por miqtë e mi, partitë e opozitës, për atë ditë dhe atë akt, të gjithë ishin dakord që ishte i gabuar.

Nuk i vë dot një kombi tjetër, çfarë konsiderojnë ata të rëndësishme. Qyteti nga ky bashkëpunim me TIKA-n, ka pasur përfitim shumë të madh. Kur kemi një problem pas një aksidenti me një polic, i vetmi vend që na nis ambulancë ajrore është Turqia. Bursat na i jep Turqia. Sot kryeministri tha që 10 bursa për IT na i dha Turqia”, tha Veliaj në emisionin “Real Story.

Kryebashkiaku nuk e kupton se përse duhet dhe ta çosh në këtë butafori, nëse një komunitet që ka dhënë gjithë këto kontribute kërkon këtë gjë.

“Ju e dini te Bashkia e Tiranës nëse nuk vendosen roje, urinojnë te Busti i Skënderbeut. E dini që te Parku Rinia nëse nuk ruhet Monumenti i Pavarësisë aty ndotin. Ku janë këta patriotë? Kur u prish monumenti turk u vodhën edhe pllakat te statuja e Presidentit Uillson”, vazhdoi ai.