Të vegjëlit në klasë të parë, përloten edhe prindërit

Rreth 450 mijë fëmijë e adoleshentë nisën vitin e ri shkollor 2019-2020. Në morinë e nxënësve, janë edhe fëmijët që shkojnë për herë të parë në shkollë. ”Unë kam marrë edhe lodrën time të pellushit në çantë”, tregon një vajzë.

Në ditën e parë të shkollës shumë fëmijë e kanë të vështirë të ambjentohen me këtë eksperiencë të re dhe kjo është arsyeja që ata qajnë. Por në këtë ditë të parë në gjetëm me shumë prindër dhe gjyshe me sytë me lot.

“U emocionova shumë, e qava madje, që vajza ime nisi rrugën e gjatë të shkollimit dhe do të na nderojë, siç ka bërë deri më tani”, tregon një zonjë. ”Më shumë u prekëm ne gjyshërit sesa fëmijët, pasi ne i kemi rritur”, tregon një çift. Mësuesit e klasave të para theksojnë se çelësi i suksesit është komunikimi me prindërit.