Soreca: Sot ndihem Petronis!

Sot në ditën e parë të shkollës, gjimnazi “Petro Nini Luarasi” (PNL) festoi 60 vjetorin e themelimit të tij.

Petro Nini Luarasi përfaqëson një shkollë komunitare dhe elitare. Gjimnazi ka qenë i aftë të rrisë breza  nxënësish që e kanë provuar veten të suksesshëm dhe rezultativë në të gjitha sferat e jetës. Shkolla identifikohet me nivelin e lartë të mësimdhënies dhe disiplinës në realizimin e programit mësimor. Vetëm në Maturën 2019, shkolla Petro Nini Luarasi renditi 36 maturantë me mesataren e notave 10.00. Në provimet e maturës shtetërore 2019 me notën 10 u vlerësuan në matematikë 57 nxënës, në gjuhët  anglisht dhe frëngjisht 203 nxënës, ndërsa në lëndët me zgjedhje 163 nxënës.

Mesuesit veteranë, nxënësit dhe stafi i sotëm pedagogjik kishin të ftuar të nderit Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, zotin Luigi Soreca. Në fjalën e tij të përshëndetjes, Soreca u shpreh:”Sot edhe unë ndihem Petronins! Tradita juaj e një shkolle cilësore vazhdon dhe uroj që ju t’i çoni përpara vlerat e këtij institucioni shumë të rëndësishëm arsimi. Ne si BE do t’ju ndihmojmë të forcoheni, pasi ju nxënësit e sotëm jeni e ardhmja e këtij vendi dhe sa më mirë e më me cilësi të përgatitetni ju, aq më shpejt Shqipëria do të jetë një vend anetar me të drejta të plota ë Bashkimit Evropian”.

Në fjalën e saj, drejtoresha e Shkollës Teuta Braçaj theksoi se institucioni që ajo drejton  është djep nismash nga më të larmishmet, nga ndihma për më të moshuarit në projektin “Adopto një të moshuar” të Komunitetit të San Exhidios në Shqipëri tek dhënia e abetareve shqip, me projektin “Një abetare në Diasporë” për disa shkolla në Itali, në Liceun “Sana Demetrio” në Kalabri dhe në Trento, ku mësohet shqip, si dhe në Greqi në Athinë dhe Kavalla; tek pjesëmarrjet e suksesshme në konkurse artistike, në ese për Bashkimin Evropian, në gara sportive; tek  historia e klubit rinor PNL “Youth Club”, i mbushur me aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, për Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës e shumë nisma të tjera në komunitet; apo tek Klubi i Biznesit, i formuar në vitin 2001, i  cili 11 vite më vonë krijoi kompaninë “Hakuna Matata” dhe e përfaqësoi Shqipërinë në një konkurs ndërkombëtar për nismat e sipërmarrjes së nxënësve të shkollave të mesme në Londër, duke u radhitur ndër 9 skuadrat më të mira pjesëmarrëse; tek Klubi “Alba Junior”, fitues i vendit të dytë në Festivalin Ndërkombëtar të Kinemasë GEF, Edicioni i 19-të, me temë “Festivali Botëror i Kreativitetit në Shkolla”, me finalet në San-Remo në Itali.  Kohët e fundit, mesuesit dhe nxënësit janë përfshire në projektin e-Twinning “Hebrenjtë në Shqipëri” dhe Arbëreshët(albanesi d’Italia). Institucioni mban vendin e parë mes gjimnazeve të vendit, për nga pjesëmarrja dhe numri i nxënësve fitues në olimpiada, konkurse dhe aktivitete të tjera artistike e sportive.

Mësuesja veterane Tefta Qirko, mësuese që në ditën e pare të shkollës më 1 shtator 1959, e mallëngjyer me lotët në sy, kujtoi ato ditë të vështira kur shkollës i mungonin shumë gjëra. Ajo u shpreh se sot mësuesit dhe nxënësit i kanë praktikisht të gjitha dhe falenderoi drejtuesin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për premtimin e tij për të ndihmuar edhe më shumë arsimin parauniversitar në Shqipëri.

Aktivitetin e përshëndeti edhe ish-nxënësi i kësaj shkolle një gjysëm shekulli përpara, Prof. As Dr Përparim Kabo, shqiptari i parë në UNESCO, filozof dhe publicist i njohur, i cili përmes mesazheve nga një poezi e Shiler, që e recitoi, përcolli kujtesa dhe orientime për nxënësit dhe pedagogët në rrugëtimin e tyre integrues.

Në fund Ambasadori Soreca shkroi mbresat e tij në Librin e Kujtimeve të shkollës.