Policia Bashkiake dhe qytetarët ndihmojnë nxënësit në ditën e parë të shkollës (Foto)

Me fillimin e vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjithë masat për të rritur sigurinë e nxënësve. Punonjës të Policisë Bashkiake, si dhe grupe vullnetarësh ishin sot përpara çdo shkolle, në të gjitha njësitë administrative për të ndihmuar të vegjlit dhe qytetarët që të kalojnë të sigurtë në vijat e bardha në rrugë dhe pranë kryqëzimeve.

Gjithashtu, me nisjen e vitit të ri shkollor, është rikthyer edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet, duke i dhënë përparësi lëvizshmërisë së nxënësve.

Ndërkaq, trafiku ne Tirane është paraqitur normal, ndërsa shumë qytetare i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të lëvizur me biçiklete ose në këmbë.