Mësuesja e parë e “Petro Ninit” flet për arsimin

Pas 60 vitesh rikthehet aty ku nisi profesionin e saj. Tefta Qirko është një nga mësueset e para të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Teksa hyn në ambientet e shkollës, 86-vjeçarja na çon në klasën e saj të gjeografisë. Me nostalgji dhe emocion tregon se shumë gjëra kanë ndryshuar, ashtu si dhe brezat e nxënësve dhe mësuesve. Ndihet krenare për nxënësit që ka nxjerrë ndër vite, ndërsa nuk fsheh kritikat për të rinjtë e sotëm.

“Kanë rënë në rehati, kanë pretendime pa bërë punë, mendoj unë. Kënaqen me pak. Këta kanë injoruar librin, që është thesar. Nuk mund të të japë kompjuteri atë që të jep libri, horizontin, qoftë në kujtesë, zhvillim”, tha ajo. Mësuesja e parë e “Petro Ninit” thotë me bindje se sot do ta refuzonte arsimin dhe për disa arsye. Ndaj ka disa këshilla për kolegët më të rinj.

“Unë nuk do të desha të isha mësuese tani, sepse më duhet sikur ka humbur respekti dhe autoriteti i mësuesit. Nga botëkuptimi dhe parimet që janë jo të drejta në marrëdhëniet mësues-nxënës. Duhet të dish të vlerësosh personalitetin e fëmijës. Kush nuk e ruan, nuk ka autoritet”, u shpreh mësuesja. Tefta Qirko u rikthye në shkollë vetëm për pak, për të festuar mes “petroninsave” të sotëm e të dikurshëm, 60-vjetorin e gjimnazit më me emër në Tiranë. /A2Cnn/