Maturantët pa degë, raundi i dytë nis më 30 shtator

15 mijë studentë janë regjistruar në universitet në raundin e parë. Në disa degë si mjekësia e përgjithshme dhe arkitektura janë ezauruar të gjitha kuotat. Mjekësia e përgjithshme, mamia dhe arkitektura nuk do të kenë asnjë kuotë bosh në raundin e dytë të regjistrimeve. Po ashtu degë si stomatologjia, farmacia dhe infermieria do të kenë shumë pak vende të lira për maturantët. Ende ka më shumë kuota se sa studentë. Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, thotë se maturantët mund të informohen në portalin U-Albania për kuotat e lira. ”Çdo vit kemi pasur 7-8 mijë kuota më shumë sesa maturantë. Por duhet parë se ku janë këto vende bosh”. Aplikimet për formularin A3 do të nisin më 19 shtator dhe zgjasin 3 ditë, ndërsa raundi i dytë i regjistrimeve fillon më 30 shtator.